Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit F.B., i cili po dyshohet se ka privuar nga jeta baxhanakun e tij, M.K. në fshatin Pakashticë të komunës së Podujevës. Lajmin e ka konfirmuar mbrojtësi i të dyshuarit, avokati Naim Rudari.
“Gjyqtari i procedurës paraprake me kërkesë të prokurorisë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit F.B me kohëzgjatje prej një muaji”, ka thënë Rudari.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, të premten ka kërkuar masën e paraburgimit për të pandehurin F.B, nën dyshimin për vrasjen e baxhanakut të tij M.K në fshatin Pakashticë, komuna e Podujevës.
Sipas kërkesës së siguruar nga ‘‘Betimi për Drejtësi’’, thuhet së ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari ka kryer veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”.
Në kërkesë për caktimin e paraburgimit thuhet se i dyshuari F.B, së bashku me tani të ndjerin M.K., kishin shkuar në vendin e quajtur ‘Rrezja e Madhe”, për gjueti dhe në një moment sa kishin qenë duke pritur shtazët, disa qenë zagarë kishin filluar të lehin dhe duke menduar se kanë ardhur shtazët e egra, me armë zjarri të gjuetisë i dyshuari kishte shkrepur dy predha me të cilat e kishte goditur tani të ndjerin M.K., në regjionin e kraharorit dhe këmbës dhe nga plagët e marra, i njëjti kishte ndërruar jetë.