UBT News

Një muaj paraburgim ndaj një personi nga Prizreni për dhunë në familje

Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit A.L, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale, dhunë në familje.

“Gjyqtarja e  procedurës paraprake–Vjollca Buzhala, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që kjo masë të pandehurit do ti llogaritet prej datës 30.11.2020 deri me datën 29.12.2020″, thuhet në njoftimin e Themelores.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit A.L., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore  për caktimin e kësaj mase, duke pasur parasysh peshën e veprës penale, mënyrat dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, ku i pandehuri me veprimet e tij ka shkaktuar dhunë në familje,  dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë rrjedh dyshimi i bazuar se i pandehuri A.L., me datë 30.11.2020 rreth orës 18:40, në shtëpinë e përbashkët familjare, me qëllim të cenimit të dinjitetit brenda një marrëdhënie familjare, i ka shkaktuar dhunë psikologjike të dëmtuarës – bashkëshortes së tij, deri sa e dëmtuara ishte e shtrirë për të pushuar për shkak të gjendjes së saj shëndetësore, i pandehuri A.L., e fyen dhe e poshtëron të dëmtuarën, me forcë tenton ta zgjon të dëmtuarën për ti përgatitur kafe, i pandehuri e kap për krahu duke e zgjuar dhe i drejtohet me fjalët “nuk ki qare pa u qua, ec kur të thamë unë”, me të cilat veprime tek e dëmtuara ka shkaktuar shqetësim të madh emocional dhe ndjenjë të frikës dhe pasigurisë.

“Duke marrë parasysh karakteristikat personale të të pandehurit A.L., faktin se i njëjti edhe më parë ka qenë i përfshirë në veprime të njëjta për vepër penale të dhunës në familje, si dhe duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethana në të cilat është kryer vepra penale, faktin se kjo vepër është kryer në shtëpinë e tyre të përbashkët, si dhe rrezikshmërinë shoqërore të veprës penale dhuna në familje, kur dihet fakti se veprat penale të kësaj natyre kohëve të fundit janë shpeshtuar në Republikën e Kosovës, ekziston rreziku se me lënien e të pandehurit në liri, i njëjti mund të përsërisë veprën e njëjtë penale, por që mund të ketë pasoja edhe më të mëdha, prandaj qëndrimi i të pandehurit nën masën e paraburgimit është më se i arsyeshëm dhe i domosdoshëm në këtë fazë zë procedurës”, thuhet më tej në njoftim./UBTNews

Exit mobile version