Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji kundër të pandehurit M.R për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” si dhe të pandehurit I.R për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve M.R dhe I.R e ka aprovuar si të bazuar.
“Të pandehurit M.R dhe I.R dyshohen se me datë 15.03.2022 rreth orës 21:19, derisa zyrtarët policor E.B dhe L.H kishin qenë duke patrulluar këmbë të angazhuar në planin operativ për parandalim të vjedhjeve dhe veprave tjera penale, ishin sulmuar nga i dyshuari M.R i cili fillimisht kishte tentuar t’i godasë me veturën e tij BMW dhe me pas nga vetura kishte shtënë me armë në drejtim të zyrtarit policor L.H i cili paraprakisht i ishte prezantuar si zyrtar policor dhe e kishte urdhëruar që të ndalet, mirëpo i dyshuari nuk kishte përfillë urdhrin dhe nga një distancë e shkurtë kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të tij duke i rrezikuar drejtpërdrejtë jetën. Zyrtarët policorë kishin arritur ta ndalojnë të dyshuarin M.R, mirëpo gjatë ballafaqimit me të, dy zyrtarët policor ishin sulmuar fizikisht nga i dyshuari I.P i cili i kishte goditur me grushte duke ju shkaktuar lëndime trupore, në këto momente kishin arritur edhe njësi tjera policore dhe kishin futë situatën nën kontroll, ku edhe u bë arrestimi i dy të dyshuarve”, thuhet në kumtesën e Gjykatës Themelore.