Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar një muaj paraburgim edhe të dyshuarit të pestë në rastin e dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë.
Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga kjo gjykatë, ku thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Sh.K e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale ku dyshohet se është kryer ndaj viktimës e cila është e mitur dhe me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku i ikjes, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, ekziston rreziku që i njëjti do të asgjësojë, fshehë, ndryshojë apo edhe të falsifikojë provat e veprës penale, ndikimit në të dëmtuaren dhe në dëshmitarë andaj masa e paraburgimit tani për tani është e vetmja masë preventive që do të parandaloj të njëjtin në përsëritjen e veprës penale të njëjtë apo të ngjashme”, thuhet në njoftim.
Rasti i dhunimit të 11-vjeçares është raportuar se ka ndodhur të shtunën në parkun e “Arbërisë” në kryeqytet./UBTNews/