UBT News

‘Një moment përcaktues’: Numri global i vdekjeve nga COVID-19 arrin në pesë milionë

Numri global i vdekjeve nga COVID-19 ka tejkaluar pesë milionë, dhe situata po përshkruhet si “një moment përcaktues në jetën tonë”, përcjell UBT News.

Më pak se dy vjet nga kriza globale shëndetësore që ka shkaktuar kërdi në mbarë botën, numri i vdekjeve të regjistruara zyrtarisht nga COVID-19 ka tejkaluar shifrën pesë milionë sot.

Sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins, vdekjet totale ishin 5,001,817 të hënën në mëngjes.

“Ky është një moment përcaktues në jetën tonë”, tha Dr. Albert Ko, specialist i sëmundjeve infektive.

Së bashku, ShBA, BE, Britania dhe Brazili përbëjnë një të tetën e popullsisë së botës, dhe gati gjysmën e vdekjeve të raportuara. Vetëm ShBA ka regjistruar mbi 740,000 jetë të humbura, më shumë se çdo komb tjetër.

Globalisht, COVID-19 është tani shkaku i tretë kryesor i vdekjeve, pas sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru, transmeton UBT News.

Tani, virusi po godet Rusinë, Ukrainën dhe pjesë të tjera të Evropës Lindore, veçanërisht ku keqinformimi dhe mosbesimi në qeveri kanë penguar përpjekjet e vaksinimit. Në Ukrainë, vetëm 17 për qind e popullsisë së rritur është plotësisht e vaksinuar kurse në Armeni vetëm 7 për qind.

“Ajo që është unike e ndryshme në lidhje me këtë pandemi është se ajo goditi më shumë vendet me burime të larta”, tha Dr. Wafaa El-Sadr, drejtor i ICAP. “Kjo është ironia e COVID-19”.

Vendet më të varfra priren të kenë përqindje më të madhe të fëmijëve, adoleshentëve dhe të rinjve, të cilët kanë më pak gjasa të sëmuren rëndë nga koronavirusi.

India, pavarësisht rritjes së saj të variantit Delta që arriti kulmin në maj, tani ka një shkallë shumë më të ulët të vdekjeve ditore sesa Rusia, SHBA-ja apo Britania, megjithëse ka pasiguri rreth shifrave të saj.

Afrika mbetet rajoni më pak i vaksinuar në botë, me vetëm 5 për qind në një popullsi prej 1.3 miliardë.

“Ky moment historik shkatërrues na kujton se ne po dështojmë në pjesën më të madhe të botës”, tha kreu i OKB-së, António Guterres. “Ky është një turp global”./UBTNews/

Exit mobile version