Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbledhjen e 45-të të Qeverisë e ka hapur me një fjalë përkujtimi dhe një minutë heshtje të kabinetit qeveritar në nderim të 46 viktimave të aksidentit në Bullgari.
Në emrin e tij dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjeve, që humbën më të dashurit në këtë fatkeqësi, ndërsa të lënduarve u dëshiroi shërim të shpejtë. Urojmë që tragjeditë e tilla të mos na përsëriten, u shpreh ai.
“Një udhëtim, që do të duhej të përmbyllej me gëzimin e kthimit në shtëpi dhe evokim kujtimesh të freskëta, u ndërpre tragjikisht në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në autostradën “Struma” në Bullgari”, u shpreh Kurti.
“46 udhëtarë, prej tyre 12 fëmijë, nuk arritën t’u mbijetojnë flakëve të zjarrit, që kaploi autobusin, i cili po kthehej nga Turqia në Maqedoninë e Veriut”.
“Republika e Kosovës bashkëndjen me Maqedoninë e Veriut dhe të gjithë shqiptarët e tronditur nga kjo tragjedi kombëtare”.
“Në emrin tim dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve, që humbën më të dashurit në këtë fatkeqësi. Të lënduarve u dëshirojmë shërim të shpejtë dhe urojmë që tragjeditë e tilla, të mos na përsëriten”.
“Në shenjë solidarizimi dhe nderimi për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, dita e sotme në Kosovë, është ditë zie shtetërore”.