Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat ka prezantuar sot një bashkëpunim në mes kompanisë amerikane për eksplorim dhe miniera i cili është i mbështetur edhe nga ambasada amerikane në Kosovë. Ajo pritet të investojë në Kosovë 800 milionë euro për sektorin privat.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve Privat të Kosovës, Jusuf Azemi tha se kjo kompani ka për qëllim të punësojë mbi 4 mijë persona më pagë minimale 500 euro.
“Ne si sindikatë kemi një bashkëpunim me kompaninë me kolegun Grant Liverett dhe kemi kënaqësi të ju njoftojmë se në Kosovë ka ardhur Grant Liverentt nga fusha e eksplorimit dhe minierave. Kosovës njëherë në 500 vite mund të ofrohet një investim kaq i madh. Investim për të cilën në momentin që kemi komunikuar ne me përfaqësuesin e kësaj kompanie kemi qenë jashtëzakonisht emociaonal dhe të shqetësuar pozitivisht sepse në Kosovë kjo kompani po ofron 800 milionë euro investime për të cilën po dihet që Kosova është jashtëzakonisht shumë mbrapa me investime”, tha ai.
Kryetari i kësaj kompanie, Grant Liverett tha se pret që ky projekt të shkojë në drejtimin e duhur. Në të kundërtën, ai tha se të njëjtin do të detyrohet ta dërgojë diku ku e mirëpritet dhe e duan.
“Jam i durueshëm përderisa shkon në drejtim të duhur, mendoj se kjo është shumë e thjeshtë. Unë jam një biznesmen amerikan duke u munduar të ndihmoj Kosovën që të krijojë vende pune, dhe arsyeja pse jam këtu është sepse Kosova e do Amerikën, dhe kjo ka shumë rëndësi për mua. Dhe përderisa jam duke e bërë këtë, arsyeja është që të rrisim kualitetin e jetesës për punëtorët. Përderisa njerëzit e marrin seriozisht këtë dhe i kushtojnë vëmendje, dhe ecë në drejtimin e duhur, pajtohem. Por nëse vetëm ndalet, atëherë do te jem i detyruar ta dërgoj tek dikush, në një vend ku e duan”, tha ai.
Jon Dërguti, përfaqësues i kësaj kompanie në Kosovë tha se ky projekt është i rekomanduar edhe nga Ambasada Amerikane dhe gjithashtu është e informuar Qeveria e Kosovës.
“Kjo kompani është në Kosovë tash e 7 vite. Kemi filluar me përgatitje në bashkëpunim të ngushtë me Ambasadën Amerikane për fillimin e një investimi të huaj, i cili ka të bëjnë për një shumë rreth 800 milionë euro. Atëherë ky investim privat është i vetmi investim privat në Ballkan, ka nevojë për një garancion shtetëror. Është një garancion shtetëror për të cilën kjo kompani nuk ka nevojë dhe është e vetmja kompani që është duke e sjell këtë në Kosovë. Kompania duke pasur të gjithmonë bashkëpunim të ngushtë me ambasadën amerikane është e rekomanduar nga ambasada amerikane tek qeveria e Kosovës edhe pse qeveria është e informuar për këtë projekt se cilat faza janë duke e shty përpara dhe e kanë mbajt vetëm një takim me Amabasadën Amerikane duke pasur parasysh krizën e punëtorëve të sektorit privat e cila është në Kosovë”, tha ai.