UBT News

Një ish-police akuzohet për vrasjen e të riut në Mineapolis

Një ish-oficere e policisë në Mineapolis të SHBA-së, është akuzuar për vrasje të shkallës së dytë, pasi ka shtënë ndaj një të riu me ngjyrë, Duante Wright, gjatë një ndalese në Qendrën Bruklin më 11 prill.

Akuzat kundër ish-polices, Kim Potter, u ngritën më 14 prill. Ajo është arrestuar, por më vonë u la e lirë me kusht të pagesës së 100,000 dollarëve.

Avokati lokal i qarkut thotë se zonja Potter e qëlloi aksidentalisht të riun Daunte Wright, pasi gabimisht kishte tërhequr armën e saj në vend të elektroshokut.

Elektroshoku është një armë jovdekjeprurëse. Ajo përdoret nga pjesëtarët e sigurisë për të paaftësuar lëvizjet e personave.

Duke folur për akuzat ndaj ish-polices, avokati i familjes Wright, Ben Crump, tha se vrasja e tij ishte një “përdorim i qëllimshëm dhe i paligjshëm i forcës”.

Anëtarët e familjes së Wright thonë se nuk ka asnjë arsyetim për të shtënat vdekjeprurëse, dhe se ky rast tregon se si sistemi i drejtësisë anon kundër njerëzve me ngjyrë.

Potter pritet të paraqitet në gjykatë më 15 prill për një seancë paraprake, sipas mediave lokale. Nëse dënohet për vrasje të shkallës së dytë, ajo mund të përballet me një dënim deri në dhjetë vjet burgim.

Si ka ndodhur rasti?

Më 11 prill, Daunte Wright u ndalua nga policia për një shkelje trafiku dhe pastaj pasoi përleshja me policinë.

Kur oficerët u përpoqën ta prangosin Wrightin, ai tentoi të ikte me makinë.

Një police grua dëgjohet duke thënë: “Në djall, e kam qëlluar”, por fillimisht dëgjohet duke kërkuar armën me elektroshok.

‘Vrasje aksidentale’ e të riut afrikano-amerikan

Ish-shefi i policisë së qendrës Bruklin, Tim Gannon, pati thënë se policja aksidentalisht qëlloi dhe vrau 20-vjeçarin Daunte Wright, pasi nxori pistoletën në vend të armës me elektroshok.

Familjarët thonë se ai ishte shënjestruar mbi baza raciale.

Zonja Potter dhe shefi i policisë lokale Tim Gannon menjëherë dhanë dorëheqje pas incidentit.

Protesta në Mineapolis

Protestat në periferi të Mineapolisit kanë vazhduar edhe mbrëmjen e 14 prillit. Protestuesit u mblodhën jashtë selisë së policisë.

Kryebashkiaku i Qendrës Bruklin, Mike Elliott, u kërkoi njerëzve të protestojnë pa dhunë.

Sikurse më parë, protestuesit hodhën shishe dhe mjete të forta në drejtim të policisë, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës.

Tensionet racore tashmë janë të larta në Mineapolis, pasi në këtë qytet po zhvillohet gjyqi ndaj një ish-polici të bardhë i akuzuar për vrasjen e afro-amerikanit, George Floyd.

Ish-oficeri i akuzuar për këtë vrasje, Derek Chauvin, përballet me akuza për vrasje.

Chauvin është deklaruar i pafajshëm. Ai mund të përballet me dekada burgim nëse dënohet. (RFE)

Exit mobile version