Një i verbër 46-vjeçar me prejardhje nga Kina, Zhang Hong, u ngjit në majën më të lartë të botës, duke u bërë personi i parë i verbër në Azi dhe i treti në botë, që u ngjit në malin Mont Everest.
“Nuk ka rëndësi nëse jeni me nevoja të veçanta ose pa ndonjë problem shëndetësor, nëse keni humbur të pamurit ose vuani nga probleme të tjera shëndetësore, përderisa mendoni pozitivisht, ju mund të arrini çdo gjë që njerëzit ju thonë që nuk mundeni”, deklaroi ai.
Zhang u ngjit në Himalaje (lartësi 8 mijë e 849 metra) më 24 maj dhe u kthye në kampin bazë të enjten, më 27 maj.
I lindur në qytetin jugperëndimor të Kinës, Chongqing, ai humbi të pamurit në moshën 21-vjeçare për shkak të glaukomës (një sëmundje e syrit në të cilën nervi optik pëson një dëmtim të pakthyeshëm. Nëse nuk trajtohet, kjo sëmundje mund të dëmtojë thellë shikimin, duke çuar deri në verbim të pakorrigjueshëm më vonë). Ai u inspirua nga Erik Weihenmayer, një alpinist i verbër që u ngjit në Everest në vitin 2001.
Në muajin prill, Everest mirëpriti vizitorët pas një viti mbyllje për shkak të pandemisë.
“Isha shumë i frikësuar, sepse nuk e dija ku po ecja, frikësohesha se mos do të rrëzohem. Por vazhdoja sepse sado që ishte vështirë, m’u desh të përballesha me këto vështirësi, ky është një element i ngjitjes, ka vështirësi dhe rreziqe, dhe ky është kuptimi i ngjitjes”, deklaroi Zhang./UBTNews