Një person ka vdekur në një vetaksident trafiku sonte rreth orës 19:00 në rrugën Pejë-Prishtinë.
Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Daut Hoxha tha për KosovaPress se deri tek aksidenti dyshohet të ketë ardhur kur ngasësi i automjetit ka humbur kontrollin mbi mjetin e tij dhe është vetaksidentuar për vdekje.
“Njësitet relevante policore dhe ato të emergjencës kanë dalë në vendin e aksidentit. Kërkohet kujdes, respektim i rregullave në rrugë në veçanti respektim i kufizimeve të shpejtësisë në rrugë, sepse humbja e jetëve njerëzore nëpër rrugët tona si pasojë e shpejtësisë referuar edhe raportimeve sot, është tepër shqetësues për të gjithë”, ka thënë ai.
Ndryshe, katër persona kanë humbur jetën sot në një aksident trafiku në Koshare të Ferizajt, prej tyre më i riu ishte i moshës 12-vjeç, ndërsa tre të tjerë janë lënduar.