Një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e një përleshjeje fizike që ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Gjakovë.
Sipas Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, rreth orës 21:30 është pranuar informacioni për një përleshje në rrugën “Ali Ibra”.
Si pasojë e incidentit, katër persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente të Spitalit Rajonal në Gjakovë.
Njëri prej të lënduarve ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga një mjet i mprehtë. Sipas policisë, në mesin e të lënduarve ndodhet edhe personi i dyshuar për rastin.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar.
