Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të mërkurën mbrëma ka arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në organizimin e skemave piramidale në qytetin e Podujevës.
I dyshuari, me inicialet E.M., është arrestuar në rrugën “Ali Ajeti”, ndërsa gjatë aksionit është kryer edhe kontroll në një lokacion të caktuar, ku janë sekuestruar një shtëpizë kompjuteri, një laptop, një shumë e konsiderueshme parash, si dhe dëshmi të tjera të mundshme.
“Pjesë e aksionit policor ka qenë edhe kontrolli i lokacionit, ku janë gjetur dhe sekuestruar një shtëpizë kompjuteri, një laptop, një shumë parash etj.”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Kosovës.
Me urdhër të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në ndalim policor, ndërkohë që hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, me qëllim të ndriçimit të plotë të rastit.