Një grua në Kaliforni ka arritur të përmbysë një vendim dëbimi dhe të shmangë dhjetëra mijëra dollarë gjoba, duke përdorur inteligjencën artificiale, përfshirë ChatGPT si “avokat” digjital, raporton Futurism, duke iu referuar NBC News.
Lynn White, e cila ishte prapa me pagesën e qirasë, humbi fillimisht një gjyq me juri dhe mori një njoftim dëbimi. Por në vend që të kërkonte ndihmë nga organizatat lokale të qiramarrësve, ajo vendosi të konsultohej me mjetet e AI-së për të përfaqësuar veten në apel.
ChatGPT e ndihmoi të identifikonte gabime procedurale në vendimin e gjykatës, i dha udhëzime hap pas hapi për veprimet që duhej të ndërmerrte dhe madje hartoi përgjigje zyrtare për t’i dorëzuar në gjykatë.
“Nuk mund ta theksoj mjaftueshëm sa shumë më ndihmoi AI. Kurrë nuk do ta kisha fituar këtë apel pa të,” – tha White për NBC.
Ajo nuk është e vetmja që ka përdorur inteligjencën për t’u përfaqësuar vetë me sukses në gjykatë. Një tjetër rast është ai i Staci Dennett, pronare e një biznesi fitnesi në shtëpi nga New Mexico, e cila përdori ChatGPT për të negociuar një marrëveshje për borxhin e papaguar.
“I kërkoja ChatGPT-së të sillej si profesor i drejtësisë në Harvard e të shqyrtonte argumentet derisa të ishin të përsosura,” – rrëfeu ajo.
“Në fund, edhe avokatët e palës tjetër më thanë se kisha bërë punë profesionale.”
AI, ndihmës apo rrezik ligjor?
Ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i mjeteve të AI në proceset ligjore mbart rreziqe serioze. Chatbotët si ChatGPT mund të krijojnë “halucinacione” — informacione të sajuara që duken të besueshme, por janë plotësisht të rreme.
Një shembull i tillë është ai i Jack Owoc, themelues i një kompanie pijesh energjike, i cili u sanksionua pasi paraqiti një mocion me citime të sajuara nga AI. Ai u urdhërua të kryente 10 orë punë komunitare.
Në raste të tjera, edhe avokatë profesionistë janë gjobitur për përdorim të papërgjegjshëm të inteligjencës artificiale. Një avokat nga Nju Jorku u kap duke dorëzuar një dokument të gjeneruar dhe më pas përdori sërish AI për të shpjeguar gabimin, duke e përkeqësuar situatën.
“Ky rast shton një kapitull të ri në historinë e keqpërdorimit të inteligjencës artificiale në drejtësi,” shkroi gjykatësi në vendimin e tij.
Në një tjetër rast në Kaliforni, një avokat u gjobit me 10,000 dollarë pasi paraqiti një ankesë me 23 citime, prej të cilave 21 ishin plotësisht të sajuara nga një mjet AI. /A.Z/UBT News/