Prokuroria Themelore në Prishtinë, sot ka informuar se ka ndalur një grua në Lipjan, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”.
Sipas prokurorisë, dyshohet se gruaja ka bërë raportim të rremë pranë organeve të rendit, më 21.04.2021, kundër bashkëshortit të saj, për veprën penale “Dhunë në familje”, ndaj të cilit është zhvilluar procedurë penale dhe i njëjti është shpallur fajtor me vendim të Gjykatës kompetente.
“Bashkëshorti i saj ka ushtruar kallëzim penal kundër të dyshuarës, për shkak të lajmërimit apo kallëzimit të rremë në polici, në vitin 2021 (rasti i lartcekur) dhe se në incizimin të cilin e posedon Prokurori i Shtetit, i ofruar si dëshmi nga tani i dëmtuari, e njëjta e pranon se në vitin 2021 ka gënjyer organet e hetuesisë me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete”, është bërë e ditur në komunikatë.
Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarës, në gjykatën kompetente.