Një gjen i “miqësor” ndaj zemrës mund të ndihmojë në riparimin e saj pas një ataku kardiak.
Testet laboratorike në qelizat njerëzore tregojnë se gjen i quajtur CCNA2 mund të riaktivizohet, duke nxitur rigjenerimin e indeve të dëmtuara të zemrës. Kjo zbulohet në një studim të udhëhequr nga Hina Chaudhry nga Shkolla e Mjekësisë Icahn në Mount Sinai, i publikuar në NPJ Regenerative Medicine, që hap perspektiva të reja për terapi të mundshme për shërimin e dëmtimeve kardiake.
Ky studim vijon hapat e grupit kërkimor që në vitin 2014 arriti përparime në rigjenerimin qelizor të zemrës së derrit. Chaudhry shpjegon:
“Tani kemi treguar se edhe qelizat e zemrës njerëzore të moshës së mesme, të cilat dikur mendohej se nuk mund të ndaheshin, mund të stimulohen për të prodhuar qeliza të reja funksionale.”
Hulumtimi u fokusua tek gjeni CCNA2, i cili luan rol kyç në ndarjen qelizore të kardiomiociteve, qelizat e muskulit të zemrës gjatë zhvillimit embrional, por që pas lindjes çaktivizohet. Studiuesit synuan ta riaktivizonin këtë gjen për të parë nëse ai mund të çonte në prodhimin e qelizave të reja që të zëvendësonin ato të dëmtuara pas një ataku kardiak ose pamjaftueshmërie të zemrës.
Ata përdorën vektor viral për të futur gjenin aktiv në qelizat e muskulit kardiak të njeriut të kultivuara in vitro e vëzhguan replikimin e tyre.
Chaudhry thekson: “Ne ishim pionierë të idesë se zemra mund të rigjenerohej duke rizgjuar gjenet e fjetura të ndarjes qelizore, dhe tani kemi sjellë këtë vizion një hap më afër pacientëve. Qëllimi ynë është të ofrojmë një terapi që lejon zemrën të shërohet vetë pas një ataku ose pamjaftueshmërie kardiake, duke zvogëluar nevojën për transplante ose pajisje mekanike.”
Hapi tjetër është marrja e miratimit nga FDA dhe fillimi i provave klinike të terapisë CCNA2 te pacientët me sëmundje të zemrës. /A.Z/UBT News/
