UBT News

Një gazetar i BBC-së i bëri Putinit një pyetje. Mikrofoni iu hoq menjëherë.

Gazetarët u bëjnë vazhdimisht pyetje udhëheqësve botërorë.

Asgjë e veçantë. Apo jo?

Por si është t’ia bësh këtë pyetje Vladimir Putinit – presidentit që urdhëroi pushtimin e plotë të Ukrainës, udhëheqësit vendin e të cilit këtë javë kreu i MI6 e akuzoi për “eksportim kaosi”?, pyet Steve Rosenberg, korrespondent i BBC-së prej shumë kohësh në Moskë.

Kështu ai vazhdon: “Dhe imagjinoni ta bëni këtë pyetje drejtpërdrejt në televizion, ndërsa një audiencë prej milionash në Rusi po ju shikon”.

Është një përgjegjësi e madhe. Nuk doni të bëni një gabim.

“Pyetja ime ka të bëjë me të ardhmen e Rusisë. Çfarë lloj të ardhmeje planifikoni për vendin dhe popullin tuaj”? e pyeti ai Presidentin Putin.

“A do të ngjajë ajo e ardhme me të tashmen, në të cilën çdo devijim publik nga linja zyrtare ndëshkohet me ligj? A do të përshpejtohet gjuetia e armiqve brenda dhe jashtë vendit? A do të bëhen edhe më të shpeshta ndërprerjet e internetit në celular? A do të ketë ‘operacione të reja speciale ushtarake’?”

Ndërsa unë flas, përshkruan ai, Vladimir Putin mban shënime. Dhe pastaj përgjigjet.

Mbron ligjin represiv të Rusisë mbi agjentët e huaj. Qindra rusë që kritikojnë qeverinë janë shpallur “agjentë të huaj”.

“Ne nuk e shpikëm atë ligj”, thotë Putin. “Ai ligj për agjentët e huaj u miratua në një numër vendesh perëndimore, përfshirë Amerikën, në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar. Dhe të gjitha ato ligje, përfshirë atë amerikan, janë shumë më të rrepta…”

Mëri ndaj Perëndimit!

Në realitet, ligji rus është drakonian, shpjegon Rosenberg. Ai përjashton “agjentët e huaj” nga fusha të shumta të jetës publike – duke përfshirë arsimin, shërbimin civil, zgjedhjet dhe ngjarjet publike. Ai vendos kufizime financiare dhe pronësore. Ndjekja penale mund të pasojë tashmë një dënim administrativ. Por, siç pohon ai, ai nuk mund t’ia tregonte këtë Presidentit Putin. Mikrofoni iu hoq sapo mbaroi pyetjen e tij. Moderatori ndërhyn papritur dhe ndryshon temën.

“Kemi edhe një pyetje: ‘Çfarë do të ndodhë me BBC-në? Po përballet me një padi multimiliardëdollarëshe nga presidenti amerikan”? thotë prezantuesi Pavel Zarubin.

“Mendoj se Presidenti Trump ka të drejtë”, konfirmon Presidenti Putin.

Kremlini dhe Shtëpia e Bardhë – në të njëjtën linjë… kur bëhet fjalë për BBC-në.

Putini më pas kthehet te pyetja e Rosenbergut.

“A do të ketë operacione të reja ushtarake speciale? Jo nëse na trajtoni me respekt dhe respektoni interesat tona, ashtu siç jemi përpjekur gjithmonë të bëjmë me ju. Përveç nëse na mashtroni, siç bëtë me zgjerimin lindor të NATO-s”.

Është e qartë për të gjithë se çfarë e motivon Vladimir Putinin – një pakënaqësi e thellë ndaj Perëndimit, shkruan Rosenberg.

Ai pretendon se për vite me radhë udhëheqësit perëndimorë kanë treguar mungesë respekti ndaj Rusisë, e kanë mashtruar dhe gënjyer atë – dhe se ata ende gënjejnë sot kur pretendojnë se Moska synon të sulmojë Evropën. “Çfarë lloj budallallëku është ky?” thotë udhëheqësi i Kremlinit.

Mosbesim ndaj Moskës

Por shumë udhëheqës evropianë thjesht nuk i besojnë Moskës.

Ju kujtojmë se në prag të pushtimit të plotë rus të Ukrainës, zyrtarët rusë mohuan se kishin plane për një sulm masiv.

Kohët e fundit, Rusia është akuzuar për shkelje të hapësirës ajrore evropiane me avionë luftarakë dhe dronë, si dhe për sulme kibernetike dhe sabotim.

Por, ndërsa përfundoi përgjigjen e tij ndaj pyetjes së Rosenberg, Putin tha gjithashtu sa vijon:

“Ne jemi të gatshëm të pezullojmë menjëherë armiqësitë me kusht që siguria afatmesme dhe afatgjatë e Rusisë të sigurohet dhe ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ju”.

“A ishte kjo një degë ulliri për Evropën nga goja e presidentit rus”? pyet Rosenberg.

Megjithatë, nëse Moska vazhdon ta lidhë sigurinë e saj afatgjatë me kërkesat maksimaliste ndaj Ukrainës, udhëheqësit evropianë do të mbeten skeptikë, përfundon ai.

Burimi: BBC.com

Exit mobile version