UBT ka mirëpritur një grup të talentuar të rinjsh, fitues të sfidës “Innovation Unleashed: A Challenge for Creative Minds”. Ky projekt, i mbështetur nga Ambasada e Dukatës së Madhe të Luksemburgut në Prishtinë, ka për qëllim të transformojë idetë e rinjve në prototipe inovative, duke nxitur zhvillimin e industrive kreative në Kosovë.
Në takimin e organizuar për t’u njohur me fituesit e projekteve, Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Prof. Dr. Besnik Skenderi, theksoi rëndësinë e mbështetjes profesionale që do t’u ofrohet fituesve. Ai shpjegoi: “Ne, në bashkëpunim me UNDP, do t’ju ndihmojmë juve në zhvillimin e produkteve për të cilat ju keni aplikuar. Ju do të punoni ngushtë me ekspertët tanë. UBT ka ekspertët e vet, të cilët i kemi zgjedhur sipas fushës tuaj, dhe profesorët tanë do të punojnë ballë për ballë me ju. Do të keni të paktën 10 sesione mbështetjeje profesionale, dhe ne do të jemi më afër jush në formën e këshillimit dhe tutorimit, sepse e dimë që anën teorike e njihni.”
Skenderi theksoi gjithashtu se ky projekt është një mundësi e shkëlqyer për të rinjtë dhe për UBT-në vetë: “Ky është një hap i mirë për juve, por edhe për ne si UBT. Ky është një nga projektet e rralla që kërkon një analizë të thellë, dhe është parashikuar që të jetë një projekt i qëndrueshëm. Pas përfundimit të projektit, ne do të dalim me një produkt, diçka që do të ecë përpara dhe do të kontribuojë në zhvillimin e sektorit kreativ në Kosovë.”
Me këto fjalë, Besnik Skenderi inkurajoi të rinjtë të shfrytëzojnë çdo mundësi dhe të angazhohen maksimalisht në këtë proces, duke u siguruar që ideja e tyre të realizohet në mënyrë të suksesshme.
Ky projekt gjithashtu synon të shfrytëzojë avantazhet unike të grupit të talentuar të krijuesve të rinj, duke ofruar kostot konkurruese të punës dhe politika të favorshme fiskale, për të ndihmuar në ndërtimin e një reputacioni ndërkombëtar të qëndrueshëm. Duke përfshirë akademinë dhe sektorin privat, ky program krijon një platformë të fuqishme për zhvillimin e një ekosistemi dinamik që nxit inovacionin dhe fuqizon talentin. Pas përfundimit të projektit, do të prezantohet një produkt që do të ecë përpara, duke e vendosur Kosovën në hartën e industriave kreative në nivel ndërkombëtar.
Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të përfitojnë nga mentorimi i ekspertëve të njohur që UBT ofron, duke zhvilluar aftësi në sipërmarrje dhe vetëpunësim. Kjo përvojë do t’i ndihmojë ata të avancojnë në sektorin e industrive kreative, që po shfaq një potencial të madh në tregun kosovar.
Përfaqësues nga UNDP, theksuan gjithashtu rëndësinë e këtij projekti si një iniciativë trevjeçare që synon zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen gjithëpërfshirëse të sektorit. Kjo iniciativë do të krijojë mundësi të reja për punësim dhe do të kontribuojë në përmirësimin e ekonomisë vendore, duke nxitur krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e qëndrueshme.
Me këtë iniciativë, UBT dëshiron të kontribuojë në krijimin e mundësive për të rinjtë, duke i pajisur ata me njohuri dhe aftësi që do t’i ndihmojnë në karrierat e tyre të ardhshme, ndërsa promovon zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në vend. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të rinjtë shqiptarë që dëshirojnë të realizojnë idetë e tyre dhe të kontribuojnë në një të ardhme më të ndritur për Kosovën./UBTNews/