Rreth 44 punëtorë shëndetësorë në Klinikën e syve janë prekur nga virusi Covid-19, ndërkaq një instrumentare e sallës ka vdekur si pasojë e COVID-19. Këtë e ka konfirmuar drejtori i Oftalmologjisë, Ardian Shabani, në një intervistë për Ekonomia Online.
Shabani tha se në këtë klinikë nuk kanë pasur pacientë të hospitalizuar, mirëpo theksoi se persona që janë trajtuar nga oftalmologu janë rekomanduar që së pari të bëjnë një test për Covid-19.
“Nuk kemi pasur pacientë me Covid të hospitalizuar në klinikën e syve, por kemi pasur disa që kanë pasur nevojë për trajtim të oftalmologut, e kemi pranuar pacientin mirëpo ne kemi rekomanduar para operacionit gjithmonë ta bëjë testin për Covid. Ka pasur disa që kur e kanë bërë testin kanë rezultuar pozitiv, në atë moment pacienti është liruar në shtëpi ka marrë terapi dhe trajtimin e duhur anti-Covid pasi ka rezultuar negativ, është lajmëruar prapë në klinikën e syve dhe ka vazhduar trajtimin në klinikën tonë. Në klinikën e syve janë 44 punëtorë shëndetësorë që kanë rezultuar pozitiv me Covid, momentalisht i kemi vetëm katër me Covid-19, dy janë duke marrë trajtim në Klinikën Infektive dhe dy në vetizolim në shtëpi. Fatkeqësisht kemi pasur edhe një vdekje të një instrumentare e sallës shkaku i Covidit ka ndërruar jetë para dy muaj”, përfundoi ai.