Një nga favoritët në Oscars këtë fundjavë, filmi “Hamnet” ka sjellë në qendër të vëmendjes arkitekturën dhe interierët Tudor. Dhe në Mbretërinë e Bashkuar ende ekzistojnë shumë shtëpi që tregojnë jetesën e shekullit të 16-të.
Një lloj “farmacie shtëpiake” me barishte të thata – rozmarinë, sherebelë, pelin i egër, livando dhe trumzë – varet bukur nga trarët e errët prej druri të një kuzhine Tudor; bar i freskët është shpërndarë në dysheme, ndërsa një tavolinë druri e vjetër dhe e gërvishtur mban mbi vete një koleksion tasash prej balte. Kjo kuzhinë nuk është e vërtetë, por një skenografi e ndërtuar për filmin “Hamnet”, dramën e shekullit të 16-të nga regjisorja Chloe Zhao – e frymëzuar nga jeta familjare e Shakespeare-it në Anglinë Tudor dhe e bazuar në romanin e Maggie O’Farrell – që është një nga pretendentët kryesorë në Oscars këtë fundjavë, me disa nominime, përfshirë filmin më të mirë, regjinë më të mirë dhe aktoren më të mirë.
Të hyje në një shtëpi Tudor do të thoshte të hyje në një botë njëkohësisht praktike dhe simbolike.
Interierët e thjeshtë dhe atmosfera modeste familjare të filmit kanë prekur audiencën. Estetika e thjeshtë e kësaj periudhe në interierët anglezë – kur mobiljet, tekstilet dhe arkitektura prodhoheshin me dorë, me materiale lokale dhe për qëllime praktike – zbulon një mënyrë jetese krejt ndryshe nga realiteti i prodhimit masiv të shekullit të 21-të.
“Njerëzit kishin shumë më pak gjëra se sot, dhe ato ishin bërë për të zgjatur,” thotë për BBC Lucy Armstrong-Blair, kuratore e trashëgimisë kulturore në National Trust.
Ndërkohë, një libër i ri, “The House Rules”, prezanton shtëpi historike britanike – mes tyre edhe të periudhës Tudor dhe Jacobean – që janë restauruar me kujdes dhe janë rikthyer në jetë nga pronarët ose dizajnerët e interierit. Mbretëria e Bashkuar ka një nga fondet më të vjetra të banesave në Evropë dhe ndërtesat e saj historike përfshijnë jo vetëm rezidenca madhështore të aristokracisë tokësore, por edhe shtëpi modeste prej guri, kasolle me çati kashte dhe shtëpi me korniza druri.
Edhe në SHBA ka disa shembuj interesantë të shtëpive të epokës Jacobean. Midis tyre janë Fairbanks House, e ndërtuar në vitin 1637 në Dedham, Massachusetts, dhe Gedney House, e ndërtuar në vitin 1665 në Salem. Ndërkohë, në South Orange, New Jersey, ndodhet The Stone House, e ndërtuar në vitin 1680 dhe ndërtesa më e vjetër që ka mbijetuar në atë qytet. Interesant është fakti se në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të pati një valë ndërtimesh të shtëpive të stilit Tudor Revival në këtë qytet dhe zonat përreth.
Në Angli, shtëpitë e epokës Tudor dhe Elizabethane pasqyronin edhe besëtytnitë e kohës. Periudha Jacobean që pasoi u shoqërua me një rritje të gjuetisë së shtrigave, e nxitur nga paranoja dhe obsesionet e Mbretit James. Shumë shtëpi të këtyre periudhave kishin shenja të gdhendura në oxhaqe dhe hyrje, të cilat besohej se mbronin nga shtrigat.Të hyje në një shtëpi Tudor do të thoshte të hyje në një botë praktike, por edhe plot simbolikë. Ndërtesat formësoheshin nga druri i pyjeve lokale – shpesh lis ose elm – që përdorej për të krijuar korniza të forta druri, ose nga guri i nxjerrë në zonën përreth. Muret bëheshin nga suva gëlqereje e përzier me qime kali, e vendosur mbi rrasa të holla druri, dhe nganjëherë zbukuroheshin me tekstile të pikturuara ose shenja dekorative, pasi tapiceritë ishin shumë të shtrenjta për shumicën e familjeve Tudor.
Marrë dhe përshtatur nga BBC
