Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, së bashku me Zëvendësministren, Liza Gashi, kanë pritur sot në takim një delegacion nga shteti i Iowa-së, që po qëndrojnë për vizitë në Republikën e Kosovës.
Zëvendëskryeministrja, duke i falënderuar ata për vizitën, ka thënë se miqësia dhe lidhja e ngushtë me shtetin e Iowa-së, është shumë e rëndësishme dhe e çmuar për Republikën e Kosovës.
Duke kujtuar vizitën që javë më parë kishte në këtë shtet, ministrja Gërvalla ka thënë se fushat e bashkëpunimit mes dy shteteve janë të shumta, dhe se ardhja e tyre në Kosovë është hap i mirë për konkretizimin e tyre.
Gërvalla, ka thënë se kjo vizitë gjithashtu shërben për forcimin edhe më tej të lidhjes mes dy shteteve, dhe është një mundësi e mirë për të mësuar nga njëra tjetra, dhe për të shkëmbyer përvoja të ndryshme.
Delegacionin prej 40 personash, përfshirë gazetarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe të tjerë, e përshëndeti me një fjalë rasti edhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi.