UBT News

Një dekadë në krye të Bundesbank, jep dorëheqje Jens Weidmann

Banka Qendrore gjermane (Bundesbank) ka nevojë për një shef të ri. Presidenti aktual, Jens Weidmann njoftoi dorëheqjen në fund të këtij viti. Gjetja e një pasardhësi është detyrë e qeverisë së ardhshme federale.

Weidmann njoftoi papritur dorëheqjen e tij në fund të këtij viti. 53-vjeçari shkroi në një letër drejtuar punëtorëve të tij se, “më shumë se dhjetë vjet në post është një kohë e mirë për të kthyer një fletë të re, për bankën por edhe për mua”.

Në fund të fundit, kjo dekadë përfshinte kapërcimin e krizës së borxheve dhe në një vit e gjysmën e fundit, krizën e pandemisë COVID-19 – vite në të cilat politika monetare duhej të përballej vazhdimisht me sfida të reja.

Ai e ka drejtuar Deutsche Bundesbank që nga maji 2011. Ai pasoi Axel Weberin, i cili dha dorëheqjen në mosmarrëveshjen mbi politikën monetare të Bankës Qendrore Evropiane (BQE).

“Weidmann gjithashtu, gjithmonë ka marrë një pozicion të orientuar drejt stabilitetit në Këshillin Drejtues të BQE-së, në të cilin është anëtar si president i Bundesbank. Ai ka qenë gjithmonë kundër një politike të ofrimit të parave me dorë të lirë, ai ka mbrojtur pavarësinë e Bundestagut, dhe i ka bërë të gjitha këto me argumente shumë, shumë inteligjente”, thotë Jörg Krämer, kryekonomist në Commerzbank.

Shumicën e kohës në minoritet

Megjithatë midis shumë pëllumbave që priren të jenë në favor të politikës monetare të lirshme në Këshillin Drejtues të BQE-së, ai ka mbetur në minoritet, veçanërisht vitet e fundit.

“Kjo mund të jetë një arsye për tërheqjen e tij të parakohshme. Kur nuk arrin të imponohesh gjatë dhjetë viteve me argumente shumë, shumë të mira, atëherë kjo sigurisht që luan një rol”, dyshon Krämer.

Dorëheqja Weidmannit vjen në një kohë kur politika monetare dhe fiskale po përballet me sfida të konsiderueshme.

“Në veçanti, po bëhet e qartë se Eurozona duhet të gjejë një rrugëdalje nga politika e normës së interesit zero, dhe kjo nuk do të jetë një shëtitje në park përballë niveleve të larta të borxhit edhe në vendet e mëdha anëtare”, thotë Stefan Kooths, drejtor kërkimor për koniunkturën dhe rritjen në Institutin për Ekonominë Botërore (IfW)

Në këtë kontekst, është shumë i rëndësishëm një orientim i qëndrueshëm drejt stabilitetit, të cilin e përfaqëson Weidmanni.

Pasardhësi duhet të jetë një personalitet i profilit të lartë

“Është e rëndësishme që për të pasuar Jens Weidmannin të gjendet një personalitet i ngjashëm i profilit të lartë dhe me përvojë”, thotë Michael Holstein, kryeekonomist në DZ-Bank.

“Nëse Bundesbank nuk funksionon si paralajmëruese kundër rreziqeve të financimit të shteteve me para nga BQE dhe për një mandat të përcaktuar ngushtë, kjo nuk do të mbetet pa ndikim në pritjet e inflacionit. Një zhvillim i tillë gjithsesi do të ishte problematik, në situatën aktuale do të vinte në një moment krejtësisht të papërshtatshëm”, paralajmëron ekonomisti IfW-së, Kooths.

Kush e pason presidentin është në duart e qeverisë së ardhshme federale. Përveç presidentit, ajo do të emërojë edhe zëvendëspresidentin si dhe “një anëtar tjetër”, siç përcakton Ligji i Bundesbankës. Tre anëtarët e tjerë të bordit do të emërohen nga qeveritë e landeve federale.

Si pasardhës, tani mund të zgjidhet për këtë post për herë të parë një grua.

Zëvendëspresidentja Claudia Buch përmendet, por edhe drejtoresha në BQE, Isabel Schnabel. Për shkak se pozicioni ndoshta do të përcaktohet nga qeveria federale e ardhshme, mund të luajë një rol edhe afërsia politike partiake. Përmendet edhe emri i Marcel Fratzscher. Kreu i Institutit Gjerman për Kërkime Ekonomike (DIW) është i afërt me SPD. Në Bordin aktual të Bundesbank, pesë nga gjashtë pozicionet janë emëruar nga CDU/CSU në qeveritë federale dhe të landeve federale.

Të gjitha janë akoma spekulime. Në atë kohë, as Jens Weidmannin nuk e përmendën që në fillim.

Exit mobile version