Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Skender Gashi sot pritet ta shpallë kandidaturën për kryetar të kësaj partie.
Gashi në Facebook shkroi se arsyeja e shpalljes së kandidaturës është se LDK-ja viteve të fundit ka pësuar një rënie të madhe dhe ka humbur kredibilitetin dhe simpatinë nga votuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës të denjë dhe besnik që nga koha e Presidentit Historik Dr.Ibrahim Rugova,që nuk u larguan nga Fryma Rugoviane as në kohët më të vështira të trashëguar nga Dr.Ibrahim Rugova.
Gashi shkroi se nëse ai e merr drejtimin e LDK-së, kjo parti do të dalë përsëri partia e parë ose e dytë në zgjedhje.
“Në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës duhet të vijnë njerëz që kanë identitet, integritet, karakter të fortë, që punojnë për ruajtjen e integritetit të Kosovës, dhe zgjidhjen e çështjeve politike, ekonomike e sociale me të cilat po përballet Kosova tash e 20 vite. Duke parë veten si një personalitet me identitet të pastër familjar e kombëtar, e shoh të arsyeshme që të jem në krye të LDK, dhe besoj që shpejtë LDK do ta kthejmë në vendin ku ka qenë si parti e parë në Kosovë. Nëse unë vi në krye të LDK , LDK do të dalë përsëri Partia e Parë ose e dytë. Në zgjedhjet lokale që mbahen në të ardhmen do ta kthej LDK në rreth 22%. Në zgjedhjet nacionale do ta kthej LDK në 27%. Këto janë objektivat e mia, që me punën dhe bagazhin tim që kam dhe me menaxhimin e duhur që e kam që nga vitet 92-93, ku jam i angazhuar në çështjen politike si brenda Kosovës dhe në diasporë”, shkroi ai mes tjerash në Facebook.
Gashi përfundoi se kandidimin për kryetar të partisë nuk e ndjen si privilegj, por si obligim kombëtar që kanë ndaj proceseve aktuale politike në shtetin e Kosovës./UBTNews