Një 21-vjeçare ka ndërruar jetë në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan. Kështu ka njoftuar Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK).
E dënuara ishte në këtë qendër korrektuese nga 27 prilli i këtij viti.
Për vdekjen e 21-vjeçares janë njoftuar Policia dhe Prokuroria, për çka tashmë thuhet se kanë nisur edhe hetimet për vdekjen e saj. Nga ShKK thonë se autopsia do ta verifikojë shkakun e vdekjes së saj.
Njoftim nga SHKK:
Prishtinë, 30 dhjetor 2021 – Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton opinionin publik se sot rreth orës 12:42 në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, e dënuara me inicialet M.K, viti i lindjes 2000, ka ndërruar jetë.
Me të kuptuar për rastin, i menjëhershëm ka qenë intervenimi i stafit korrektues dhe atij mjekësor të Qendrës, por përkundër përpjekjeve për reanimim nuk kanë arritur të kthejnë në jetë.
E dënuara, në QKF Lipjan është pranuar me datën 27.04.2021, që nga fillimi deri 18.06.2021 ka qenë në vëzhgim çdo 15 minuta nga psikologu i Qendrës.
Po ashtu, nga data 02.11.2021 ka qenë në vëzhgim (observim) çdo 30 minuta, i cili vëzhgim ka vazhduar.
Lidhur me rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe Prokurori, ndërsa SHKK ka filluar të bëjë hetimet procedurale dhe administrative, gjithashtu është themeluar Komisioni Hetimor Administrativ nga SHKK, i cili do të dal me Raport Administrativ Përfundimtar.
Stafi mjekësor i Stacionarit të Qendrës Korrektuese për Femra në Lipjan ka përgatitur dokumentacionin e nevojshëm lidhur me rastin. Autopsia do të verifikojë shkakun e vdekjes.