Krimet e motivuara nga ekstremizmi i djathtë në Gjermani kanë arritur nivelin më të lartë historik gjatë vitit 2024, sipas një raporti të Ministrisë së Brendshme të prezantuar në përgjigje të një pyetjeje nga deputetët e Majtë në Bundestag. Deri më 30 nëntor 2024, janë regjistruar 33.963 vepra kriminale të lidhura me ekstremizmin e djathtë, duke përfaqësuar një rritje prej të paktën 17.34% krahasuar me vitin 2023, kur numri ishte 28.945.
Shifra përfundimtare për 2024 pritet të publikohet nga Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA) në maj 2025, me pritshmëritë që ajo të rritet më tej për shkak të krimeve të kryera në dhjetor dhe vonesave në regjistrime. Nga krimet e regjistruara deri tani, 1.136 ishin të dhunshme, ndërsa shumica u kategorizuan si krime propagande (21.311 raste) dhe nxitje dhune (5.097). Gjithashtu, policia ka dokumentuar 1.942 raste dëmtimi të pronës.
Deputetja e Majtë dhe ekspertja për ekstremizmin e djathtë, Martina Renner, e përshkroi situatën si alarmuese, duke theksuar se numrat kanë qenë në rritje të qëndrueshme me 20-25% çdo vit. Ajo kritikoi mungesën e masave drastike për të ndaluar këtë trend të rrezikshëm dhe paralajmëroi për normalizimin e një realiteti ku më shumë se 3.000 krime nga neo-nazistët ndodhin çdo muaj. Renner nënvizoi gjithashtu se përqindja e autorëve të rinj është rritur, duke ngritur shqetësime për brezat e ardhshëm./DW/