Nisma Socialdemokrate nuk do të shkrihet në asnjë subjekt tjetër politik për të garuar në zgjedhjet e jashtëzakonshme që pritet të mbahen. E për mbajtjen e këtyre të fundit, partia e Fatmir Limajt konsideron se afati optimal është fillimi i shkurtit.
Anëtari i kryesisë së Nismës, Endrit Shala pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani nuk i përjashtoi koalicionet me partitë e tjera, por tha se momentalisht nuk ka një disponim të tillë brenda strukturave të partisë.
“Nisma është subjekt politik nuk do të shkrihet asnjëherë në asnjë subjekt tjetër politik. Nisma do të vazhdojë të qëndrojë si subjekt politik Nisma Socialdemokrate. Nisma mundet, ashtu siç bëjnë të gjitha partitë e tjera në botë, të bëjnë koalicione me subjektet tjera në bazë të marrëveshjes”, tha ai.
Shala japi edhe opsionit e partisë që përfaqëson për zgjedhjet e reja.
“Në gjitha parashikimet fillimi i shkurtit do të ishte data ideale për mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme”, tha ai.
Por para se të shkojë vendi në zgjedhje të reja, deputeti i Nismës kërkoi votimin e buxhetit për vitin 2021.
“Me qëllimin që mos të bllokojmë vendin kërkuam që të gjitha subjektet politike, e që janë të përfaqësuara në parlamentin e Kosovës, ta votojnë sa më shpejtë buxhetin për vitin 2021”, tha ai.