Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit ka nisur rrënimin e gjashtë objekteve pa leje në zonën përreth Liqenit të Ujmanit, prej të cilave katër janë veranda dhe dy shtëpi.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Mjedisit, Fitore Pacolli duke njoftuar se aksioni po vazhdon pas rrënimit të ndërtimeve ilegale dhe pastrimit të zonës përreth Liqenit të Radoniqit.
Pas Ujmanit, aksioni pritet të vazhdojë edhe në zonat përreth liqeneve të Batllavës dhe Badovcit.
Ministria ka theksuar se mbrojtja e liqeneve dhe burimeve ujore është përgjegjësi e përbashkët dhe se nuk do të tolerohen ndërtime të paligjshme që cenojnë pasuritë natyrore.
“Ligji do të zbatohet pa përjashtim”, thuhet në njoftimin e ministrisë./A.K/
