Kanë nisur punimet e rrugës “Jim Xhema” e njohur si rruga A, e cila pritet të përfundojë brenda 240 ditëve dhe ka një kosto financiare 8.4 milionë euro.
Me këtë rast, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se kanë filluar punimet për 1.5 kilometrin e parë dhe punimet pritet të përfundojnë brenda 240 ditëve.
“Kemi filluar punimet me një ditë të bukur, është projekt madhor dhe me rëndësi të madhe. Kemi filluar me 1.5 kilometrat e parë dhe dinamika do të jetë e shtuar. Do të punohet në të dyja anët, nga ana e Kalabrisë dhe Prishtinës së Re. Kjo është faza e parë dhe trajton edhe çështjen e kanalizimit. Rruga e re po krijohet dhe është me standarde të reja. Prishtina veçse po frymon me lehtë dhe rrugët po i krijojmë. Faza e parë është 8.4 milionë euro. Pastaj do të vazhdohet edhe në faza tjera. Kjo fazë do të merr kohë 240 ditë pune dhe të bëhet përurimi i kësaj”, tha ai.
Ndërsa, Krenar Xhaferi, drejtor për investime kapitale, ka thënë se ky projekt do të lidhet me rrugën B.
Rruga do të jetë 6 korsi, dhe do të ketë shtigje të biçikletave.
Në përurimin e kësaj rruge ka marrë pjesë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.