UBT News

Nisin punimet për bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë

Kryeministri Edi Rama tha se modernizimi i bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë do të rrisë rolin ushtarak e politik të vendit dhe do të sjellë përftime ekonomike e sociale për zonën.

Nga Kuçova, ku të enjten nisën punimet për bazën e parë të NATO-s në rajon, Rama tha se vendimi për të përzgjedhur këtë mjedis duke e transformuar në një bazë ajrore taktike të aleancës në rajon, konfirmon faktin se Shqipëria është një vlerë e shtuar në këtë aleancë.

“Falë mbështetjes që po gjejmë nga SHBA dhe strukturat e saj të mbrojtjes, po vetëdijësohemi se nëse investojmë në mënyrë inteligjente dhe adresojmë në rrugën tonë të forcimit dhe njëkohësisht të rritjes së cilësisë së forcave tona ushtarake ashtu siç duhet ne mund të jemi vlerë e shtuar për NATO-n edhe me projekte të tjera. Sot po shohim të realizuar një projekt që ishte përqeshur nga shumë njerëz tre vjet më parë kur u prezantua”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se Kuçova do të kthehet në bazë ajrore ku do zbatohen 5 projekte dhe veç përfitimeve në aspekti ushtarak dhe strategjik, zona do të ndikohet edhe në aspektin ekonomik dhe social.

Rama u zotua se qeveria e tij do të rrisë buxhetin për mbrojtjen, duke vijuar rritjen e pagave për Forcat te Armatosura deri në barazimin në mesataren e pagave të NATO.

Në ceremoninë e nisjes së punimeve në aeroportin e Kuçovës ishte edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim, e cila siç tha kryeministri ka dhënë mbështetjen dhe angazhimin për një tjetër projekt madhor, që është ai për krijimin e një qendre ekselence të mbrojtjes kibernetike për gjithë NATO.

Exit mobile version