Është bërë inaugurimi i fillimit të punimeve të rrugës Prishtinë-Podujevë, projekt ky që kap vlerën rreth 35 milion euro që pritet të përfundojë brenda një viti.
Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti deklaroi se do të bëjnë çfarëdo që nevojitet që kjo rrugë të përfundojë sa më parë.
Sipas Kurtit, ngecja e madhe në këtë rrugë më herët ka ndodhur për shkak se kanë hyrë në ekzekutim punimet pa planifikim e pa përgatitje.
“Inspektuam punimet, shikuam harta dhe gjithashtu bashkëbiseduam me punëtoret për punën që janë duke e kryer dhe e cila kap vlerën e gjithmbarshme për rreth 35 milion euro. Rruga Prishtinë-Podujevë është e vjetër gjysmë shekulli dhe ka qenë nevojë e kamotshme e trevës së Llapit që të lidhet me kryeqytetin në mënyrë efikase të shpejtë dhe të sigurt dhe do të bëjmë çmos që kjo rrugë të përfundoj sa më parë. Natyrisht që numri i ditëve është rreth numrit të ditëve që ka viti që nevojitën si ditë punë që të përfundoj kjo. Por tash jemi në rrugë të mbarë për të përfunduar këtë zgjerim i cili është i rëndësishëm, jo vetëm për shpejtësinë e lidhjes më kryeqytet por edhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve… Ngecja e madhe ka ekzistuar pikërisht për shkak se kanë hyrë në ekzekutim pa planifikim e pa përgatitje. Tash ne e rikuperuam me shpejtësi maksimale dhe do të bëhet zgjerimi i rrugës. Do të vazhdojmë edhe më një vizitë tjetër që do të ja bëjmë edhe rregullimit të rrugës Prishtinë-Mitrovicë”, tha Kurti.
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, derisa ka treguar më shumë detaje për projektin ka theksuar se përvojat nga e kaluara kanë treguar që është shumë e rëndësishme që proceset e shpronësimit të kryhen para se të fillojnë punët, pasi që sipas tij, një ndër element e zvarritjeve në projekte janë elemente e shpronësimit.
“Projekti i zgjerimit të rrugës Prishtinë-Podujevë është projekt që i ka pesë llote. Jemi në një mënyrë, në një sistem më të organizuar të zhvillimit dhe punimit. Përvojat nga e kaluara na kanë treguar që është shumë e rëndësishme që proceset e shpronësimit të kryhen para se të fillojnë punët, për shkak se një ndër element e zvarritjeve në projekte janë elemente e shpronësimit… Një element i rëndësishëm është trafiku në këtë rrugë. Zgjerimi i rrugës do të ketë ndikime të shumta në trafikun ekzistues që është një ndër problemet kryesore. Kemi krijuar ekipe të veçantë që të merren me mbarëvajtjen e trafikut sidomos gjatë këtyre muajve të parë që do të hyj diaspora, respektivisht mërgata jonë do të ketë prezentë dhe do të jetë trafiku më i shtuar. Do të kemi kujdes që të mos ketë pengim të trafikut më rrugë. Pastaj do të fillojmë të punojmë edhe më trup të rrugës. Jemi mjaftë të përkushtuar dhe të vendosur që kjo rrugë të kryhet në kohë që të kemi cilësi të punimeve, e paralelisht më këtë edhe për projektet e tjera”, tha Aliu.
Ndërsa, zëvendësministri, Hysen Durmishi tha se një pjesë e ekipeve do të punojnë edhe natën në mënyrë që të mos ketë pengesa në komunikacion, duke shtuar se ky projekt do të përfundoje para afatit të planifikuar.
“Do të kujdesemi që në një pjesë, në periudha të ndryshme kohore, të punojmë edhe natën, në mënyrë që të mos ketë pengesa në komunikacion, si dhe rrugëve alternative të cilat tashmë janë identifikuar sepse operatorët ekonomik janë vlerësuar edhe me planin dinamik por edhe me dokumentin të cilin e kanë prezantuar për menaxhimin e trafikut. Të gjitha këto përgatitje që kemi bërë jemi optimist se ky projekt do të përfundojë para afatit të planifikuar ”, tha Durmishi.
Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi është shprehur i lumtur me fillimin e këtij projekti, pasi që sipas tij e njëjta rrugë ka shkaktuar vështirësi në qarkullim për shkak numrit të madh të automjeteve.
“Një projekt i shumëpritur nga qytetarët e Llapit, për arsyeje se kjo rrugë pat shkaktuar shumë vështirësi në qarkullim, për shkak të numri të madh të automjeteve. Por, nga kjo që po shohim, kemi parapërgatitje të mira dhe çdo gjë është menduar, çdo gjë ka shkuar me rend dhe rregull, dhe shpresojmë se ky projekt do të mbyllet brenda afateve kohore”, tha Bulliqi.