UBT News

Nisin bisedimet midis talibanëve dhe pjesëtarëve të shoqërisë civile

Një delegacion i talibanëve po viziton për herë të parë Evropën, që prej se ky grup militant mori pushtetin në Afganistan, teksa përfaqësuesit talibanë po marrin pjesë në bisedimet me pjesëtarët e shoqërisë civile afgane.

Bisedimet po mbahen në Norvegji dhe ato do të fokusohen në të drejtat e njeriut.

Delegacioni i talibanëve po kryesohet nga ushtruesi i detyrës së ministrit të Jashtëm, Amir Khan Muttaqi. Talibanët do të zhvillojnë bisedime me aktivistet, gazetarët dhe pjesëtarë të tjerë të shoqërisë civile, përpara se më 24 dhe 25 janar të takohen me diplomatët perëndimorë.

Ministria e Jashtme norvegjeze tha se delegacioni taliban do të takohet edhe me afganët që gjenden në këtë shtet, përfshirë “lideret gra, gazetarët dhe personat që punojnë për të drejtat e njeriut, për çështjet humanitare, ekonomike, sociale dhe politike”.

Një delegacion i Shteteve të Bashkuara, i kryesuar nga përfaqësuesi i posaçëm për Afganistan, Tom West, planifikon që në bisedimet me talibanët të diskutojë për “formimin e një sistemi përfaqësues politik, për përgjigjen urgjente humanitare dhe krizën ekonomike, për shqetësimet e sigurisë dhe kundërterrorizmit, për të drejtat e njeriut, veçanërisht për arsimimin e grave dhe vajzave”, u tha në një deklaratë të lëshuar nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Më 21 janar, ministrja e Jashtme norvegjeze, Anniken Huitfeldt, theksoi se vizita nuk paraqet “legjitimim apo njohje të talibanët. Por, ne duhet të bisedojmë me ata që qeverisin sot shtetin”.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar lidhur me situatën serioze në Afganistan”, tha Huitfeldt, duke theksuar se kushtet ekonomike dhe politike kanë krijuar “një katastrofë humanitare të shkallës së gjerë për miliona persona” që përballen me uri në Afganistan.

Talibanët kanë marrë kontrollin e Afganistanit në mesin e gushtit të vitit të kaluar. Qeveria e shpallur prej tyre nuk është njohur ndërkombëtarisht./REL

Exit mobile version