Në një ceremoni solemne, në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, është bërë hapja e festivalit më të madh të dijes në Kosovë dhe në rajon, “Global UBT Fest 2022”, festival ky i cili organizohet çdo vit nga UBT.
Në këtë ceremoni mori pjesë rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, zëvendëskryeministrja e parë e Republikës së Kosovës, njëherit ministrja për Punët e Jashtme dhe Diasporën, Donika Gërvalla – Schwarz, përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, profesori ndërkombëtar nga Izraeli, Dror Fixler, si dhe profesorë e studentë të UBT-së.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se UBT është duke u angazhuar që përmes aktiviteteve të ndryshme të dëshmojë potencialin që ka si institucion, por edhe potencialin e të rinjve në Kosovë, si dhe tregoi rreth aktiviteteve të ndryshme, të cilat do të zhvillohen përgjatë një muaji në kuadër të “Global UBT Fest”.
“Është festivali më i madh i dijes në Kosovë dhe në rajon, ku janë të ndërthurura aktivitete të ndryshme të mbi 30 shkollave verore të secilit fakultet, të cilat synojnë përmes temave të ndryshme me folës, ekspertë, përfaqësues të ndërmarrjeve dhe institucioneve të ndryshme të përhapin përvoja, njohuri dhe dije tek studentët dhe pjesëmarrësit e tjerë, duke e formësuar një festival global të dijes”, ka thënë rektori Hajrizi.
Zëvendëskryeministrja e parë e Republikës së Kosovës, njëherit ministrja për Punët e Jashtme dhe Diasporën, Donika Gërvalla – Schwarz, potencoi faktin që UBT pavarësisht sfidave, ka arritur të realizojë në Kosovë, një festival të madh të dijes siç është “Global UBT Fest”.
“Jam krenare që në mesin tonë ndodhin aktivitete të kësaj natyre, 30 ditë nuk janë pak, 30 ditë të mbushura edhe vetëm me festë edhe janë shumë, pa lëre më t’i mbushësh me aktivitete, t’i mbushësh me dije, t’i mbushësh me njerëz të interesuar, t’i mbushësh me ngjarje pozitive është një sfidë e jashtëzakonshme, dhe UBT e ka dëshmuar se mund ta bëjë këtë”, ka thënë Gërvalla – Schwarz.
Gërvalla – Schwarz, theksoi që kontributi i institucioneve të Kosovës, ende është i vogël, dhe se duhet angazhim më i madh në aspektin e përmirësimit të kushteve të sistemit arsimor dhe edukativ.
“Në gjendjen në të cilën ndodhemi sot, kontributi i institucioneve ende është i limituar, ende është i vogël në arritjen e asaj çfarë do të përfaqësonte më së miri, mundësitë që të rinjtë tanë, që djemtë dhe vajzat tona kanë, vullnetin që kanë për të mësuar, vullnetin që kanë për të shkëlqyer, të cilëve porsa u krijohet mundësia për të shkuar në një ambient tjetër, ata janë më të mirët”, ka shtuar Gërvalla -Schwarz.
Në këtë ceremoni prezantoi një punim edhe profesori ndërkombëtar nga Izraeli, Dror Fixler, i cili njashtu tha se është i lumtur që është pjesë e hapjes solemne të një festivali të madh të dijes të organizuar nga UBT, “Global UBT Fest”.
Ky festival do të zgjasë 30 ditë dhe do të sjellë emra të mëdhenj të profesorëve dhe artistëve ndërkombëtarë, të cilët do të zhvillojnë aktivitete të ndryshme, përfshirë këtu forume, samite, gara, punëtori e ekspozita të fushave të ndryshme të jetës.