Ka nisur prej orës 8 të mëngjesit lirimi i njërës prej korsive të rrugës në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë dhe Bërnjak, ndërsa deri në orën 16:00 gjithçka pritet të jetë rikthyer në normalitet.
Ndërkohë, pjesëtarë të KFOR-it janë parë pranë dy pikave kufitare. Ndërkohë, në bazë të marrëveshjes Kosova dhe Serbia janë dakordësuar që të mbulojnë simbolet shtetërore në targat e automjeteve kur të hyjnë në territoret respektive.
Ndërsa barrikadat dhe forcat speciale të largohen nga Jarinja dhe Bërnjaku, Policia e Kosovës do të zëvendësohet nga KFOR-i që do të qëndrojë në pikat kufitare për dy javë.
“Me datën 4 tetor, në ora 08 të mëngjesit do të filloj zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës.
– Do të krijohet një grup punues i përbërë nga përfaqësues të BE-së, Beogradit dhe Prishtinës, të kryesuar nga BE-ja do të formohet për të gjetur një zgjidhje përfundimtare rreth targave, bazuar në standarded dhe praktikat e BE-së. Takimi i parë i këtij grupi do të mbahet më 21 tetor 2021 në Bruksel. Brenda gjashtë muajve nga takimi i parë, grupi punues do të paraqet të gjeturat për zgjidhjen përfundimtare para përfaqësuesve të nivelit më të lartë në procesin e Dialogut”, janë disa nga pikat e marrëveshjes së arritur në Bruksel.