Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se ka filluar subvencionimi i energjisë elektrike për familjet e cenueshme. Sipas tij janë 40 mijë e 620 familje që janë kualifikuar në grupin e parë, e të cilat do të përfitojnë nga subvencionimi i energjisë elektrike.
“Subvencionimi do të bëhet direkt në faturë, i ndarë në gjashtë këste mujore, duke filluar nga fatura e janarit. Subvencionimi bëhet në kuadër të pilotimit të Programit për Mbështetjen e Familjeve të Cenueshme, që mbështetet financiarisht nga Bashkimi Evropian”, ka shkruar Murati në Facebook.
Ai ka theksuar se komisioni zbatues ka shqyrtuar të gjitha aplikacionet e familjeve që kanë aplikuar online. Gjithashtu ka thënë se me automatizëm janë shqyrtuar sipas kritereve të njëjta edhe familjet që në të kaluarën kanë përfituar nga skema e vjetër mbështetëse, meqenëse të dhënat e tyre i kemi pasur në databazë.
“Të gjitha familjet që janë miratuar nga Komisioni zbatues e që kanë përfituar nga subvencionimi, këtë do të mund ta shohin në faturat e tyre të energjisë elektrike. Vlen të theksohet se gjatë shqyrtimit Komisioni ka hasur në numër të konsiderueshëm të aplikacioneve që kanë përmbajtur gabime dhe ka qenë e pamundur që këto aplikime të shqyrtohen. Në lidhje me këtë, aplikuesit do të pranojnë një email me udhëzimin se si të riaplikojnë me të dhëna të sakta”, ka shkruar Murati.