Kompanitë prodhuese në Kosovë gjatë këtij viti, kanë filluar të rrisin prodhimin e tyre, rrjedhimisht edhe qarkullimin financiar. Një nga kompanitë është “8 vëllezërit” në Komunën e Klinës, që merret me prodhimin e dyerve dhe dritareve të plastikës. Argjend Shala, pronar i kësaj ndërmarrjeje, tha se gjatë këtij viti, kompanisë i është kthyer normaliteti pas pandemisë. Mbi 30 për qind, tha ai, ka rritje të sasisë së prodhimit dhe rritje të numrit të të punësuarve. Kjo kompani, prodhimet e saj i eksporton edhe në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian.
“Vitin e kaluar ka pasur më pak qarkullim, por punëtorët i kemi mbajtur në punë. Ndërsa, sivjet është më mirë, ka rritje edhe në tregun e Kosovës, por ka rritje edhe të eksportit”, tha Shala.
Bizneset në Kosovë, vitin e kaluar gjatë pandemisë, kanë raportuar humbje mbi një miliard euro.
Një ringjallje ekonomike, vërehet edhe nga të hyrat e agjencive kryesore që mbushin buxhetin, siç janë Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës.
Për 5 muaj qarkullimi i bizneseve u rrit për 820 milionë euro
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), nga muaji janar deri në muajin maj të këtij viti, ka arritur të inkasojë mbi 242 milionë euro apo rreth 57 milionë euro më shumë. Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se rreth 27 për qind është rritja e qarkullimit të bizneseve në këtë periudhë.
“Nëse e analizojmë edhe qarkullimin e deklaruar nga ana e bizneseve, kemi edhe një rritje të qarkullimit për rreth 27 për qind, në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Apo shprehur në vlera financiare, mbi 820 milionë euro është qarkullimi i rritur në vitin 2021, në raport me periudhën e njëjtë (janar – maj) të vitit 2020”, thekson Murtezaj.
Në periudhën janar – prill të vitit të kaluar, vlera e qarkullimit ka qenë mbi tre miliardë euro, derisa në periudhën e njëjtë gjatë këtij viti, kjo shumë ka shkuar në 3.8 miliardë euro.
Edhe Dogana e Kosovës gjatë kësaj periudhe (janar – maj), ka grumbulluar mbi 512 milionë euro, apo 112 milionë më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur vlera e të hyrave ishte mbi 400 milionë euro, tha Adriatik Stavileci, zëdhënës në këtë institucion.
Kjo rritje ka ndikuar kryesisht nga rritja e importit të sasisë së derivateve të naftës, cigareve dhe automjeteve.
Gërxhaliu: Me gjithë rritjen e qarkullimit, qeveria duhet të ndihmojë bizneset
Përmirësimi i performancës së këtyre të hyrave, dëshmon se ekonomia ka filluar të ringjallet pas pandemisë, thotë edhe Safet Gërxhaliu, profesor i ekonomisë. Ai thotë se duke parë neglizhencën institucionale për ndihmë financiare, bizneset kanë gjetur mundësi vetanake për të përmirësuar veprimtarinë e tyre.
“Kemi rritje të eksportit dhe importit. Por, mbi të gjitha, është edhe fakti se nga zgjedhjet e fundit, kemi kabinet të ri qeveritar që ka shumicën dhe është krijuar një frikë për futjen e sundimit të rendit dhe ligjit, kështu që janë ulur tendencat për korrupsion dhe ekonomi të kriminalizuar. Dhe në këtë drejtim, kemi këto trende pozitive të cilat janë optimiste dhe duhet të besoj, se nuk duhet të reagohet me eufori, por duhet që të bëhet më tepër për sektorin privat”, tha Gërxhaliu.
BB: 2.9 për qind rritja ekonomike në vitin 2021
Edhe drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, beson se edhe pjesa e dytë e këtij viti, do jetë optimiste sa i përket rritjes së të hyrave, rrjedhimisht do të ketë përmirësim të gjendjes së bizneseve, pas pandemisë.
“Pritjet janë që të vazhdohet rritja e të hyrave edhe më tutje. Këtu i shtohet fakti, se në këtë sezon, pritet që mërgimtarët të vijnë nga bota e jashtme dhe do ketë shpenzim të parave më tepërt se viteve paraprake. Për shkak se dy vjet më parë, shumica nga ta nuk kanë qenë në Kosovë. Me ardhjen e tyre, rritet edhe konsumi”, thekson Murtezaj.
Në raportin e fundit të Bankës Botërore, thuhet se rritja në ekonomitë me të ardhura të ulëta këtë vit, parashikohet të jetë më e ngadalta në 20 vjetët e fundit. Këto shtete më këtë ekonomi, parashikohet ta kenë një rritje prej 2.9 për qind në vitin 2021, para se të arrijnë në 4.7 për qind në vitin 2022. Shkalla e prodhimit e këtij grupi në vitin 2022, parashikohet të jetë më e ulët se që është parashikuar para pandemisë.