UBT News

Nis rikonstruktimi i rrugës Arllat–Malishevë, investim rreth 1.85 milionë euro

Kanë nisur punimet për rikonstruktimin e rrugës rajonale Arllat–Malishevë, segment që lidh komunat e Drenasit dhe Malishevës.

Ky projekt kap vlerën prej rreth 1.85 milionë euro dhe synon të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve, të rrisë sigurinë në komunikacion dhe të përmirësojë kushtet për qarkullimin e mallrave dhe zhvillimin ekonomik.

Në ceremoninë e fillimit të punimeve, kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se projekti do të sjellë përfitime si për qytetarët ashtu edhe për bizneset, duke përfshirë rehabilitimin e një segmenti prej rreth 11.8 kilometrash që lidh disa fshatra të zonës.

Ai theksoi se projekti parasheh edhe ndërtimin e trotuareve në zonat e banuara, vendndalesa për autobusë, si dhe vendosjen e sinjalizimit rrugor sipas standardeve evropiane.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, tha se ky është investimi i dytë më i madh rrugor në Malishevë brenda dy muajve, duke theksuar se në total investimet në këtë komunë kanë kaluar mbi 4.2 milionë euro.

Sipas autoriteteve, afati për përfundimin e punimeve është 150 ditë pune.

/A.K/

Exit mobile version