Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur të pavlefshëm aktgjykimin e Gjykatës Supreme që kishte anuluar Rregulloren e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) lidhur me mandatin e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik.
Rasti ishte iniciuar nga KPK-ja, e cila kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme të 14 korrikut 2025.
Sipas vendimit të Kushtetueses, Gjykata Supreme ka shkelur të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si dhe ka cenuar pavarësinë kushtetuese të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Për pasojë, aktgjykimi është shpallur i pavlefshëm dhe lënda është kthyer për rishqyrtim.
Çështja kishte të bënte me ndryshimet e bëra nga KPK-ja në vitin 2025 në Rregulloren për Koordinatorin Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, me të cilat mandati i koordinatorit u përcaktua trevjeçar, me mundësi rizgjedhjeje edhe për një mandat tjetër.
Prokurori Shqipdon Fazliu, i cili e ushtronte këtë funksion që nga viti 2013, kishte kundërshtuar ndryshimet duke pretenduar se ato ishin zbatuar në mënyrë retroaktive dhe cenonin pozitën e tij.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se Kushtetuta dhe ligji në fuqi i japin KPK-së pavarësi në organizimin e brendshëm dhe në caktimin e prokurorëve në pozita të caktuara, pa pasur detyrim për konsultime me institucione të tjera.
Po ashtu, Kushtetuesja theksoi se posti i Koordinatorit Kombëtar nuk kishte mandat të përcaktuar qartë me legjislacionin paraprak, prandaj caktimi i mandatit trevjeçar nuk mund të konsiderohet kufizim i një të drejte të garantuar më parë.
Në përfundim, Gjykata Kushtetuese konstatoi se Gjykata Supreme kishte interpretuar dhe zbatuar gabimisht ligjin, duke mos përmbushur standardet e një procesi të rregullt gjyqësor.
Burimi:KOHA
/A.K/
