UBT News

Nis regjistrimi i popullsisë, kësaj here me disa ndryshime

Agjencia e Statistikave të Kosovës të premten ka nisur procesin e regjistrimit të popullsisë. Proces ky që ka qenë në pritje prej vitit 2021. 

Demografi Hazer Dana në një prononcim për UBTNews tregon rëndësinë e mbledhjes së statistikave për popullsinë e Kosovës.

“Ne e dimë se kur shteti harton strategji të ndryshme qoftë zhvillimore, qoftë ekonomike, qoftë arsimore duhet të mbështetet në të dhëna demografike. Këto të dhëna pothuajse në pjesën më të madhe kanë munguar gjatë këtyre viteve. Jemi mbështetur në ato të vitit 2011, por ato janë mjaftë të vjetëruara. Kanë kaluar tani më një dekadë dhe për këtë arsye këto të dhëna që do të realizohen janë të dhëna bazë që ne do të shërbehemi për strategjitë dhe politikat tona që do t’i hartojmë në zhvillimin e vendit”, deklaroi Dana.

Pas përfundimit të këtij regjistrimi, Dana, shprehet se shteti duhet të përgatis politika që do të ndikojnë në stabilitetin demografik në Kosovë.

“Nëse ne e vërejmë që kemi një gjendje demografike që shkon kah rritja e moshënimit demografik, ka zvogëlimi i numrit të popullsisë dhe kemi disa elemenete të tjera që shkallët e mortalitetit fillojnë t’i afrohen apo të kalojnë shkallët e natalitetit atëherë ne padyshim se duhet të ndërmarrim politika popullative në mënyrë institucionale shteti duhet të përgatitë politika të mira të cilat do të ndikojnë në përmrësimin e gjendjes demografike”,

E këtë here, regjistrit të popullsisë do t’i shtohet edhe një pyetësor i ri. Bëhet fjalë për dëmet e luftës 1998-99.

“Çështja e dëmeve të luftës është në rregull, por mjaft vonë. Kemi domethënë dy dekada. Kjo është një temë mjaftë e rëndësishme për shtetin e Kosovës dhe për paraqitjen e dëmeve të luftës. Kanë kaluar dy dekada e gjysëm nga përfundimi i luftës megjithatë e shoh si diçka shumë pozitive që në të njëjtën kohë kur po ndodhë regjistrimi të jemi drejtpërdrejt në teren dhe të marrim të dhëna sa më të sakta rreth kësaj teme”, deklaroi ai.

Pjesëmarrja në regjistrim është e rregulluar edhe me Ligj, ndërkaq refuzimi për t’u përgjigjur në pyetësor mund të penalizohet në shumën nga 30 deri në 2 mijë euro.

Kësaj radhe regjistrimit do t’i nënshtrohet edhe diaspora. Procesi pritet të përfundojë me 17 maj të këtij viti./UBTNews/

Exit mobile version