Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se sapo kanë formalizuar grupin punues për hartimin e koncept dokumentit për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovës.
Haxhiu ka bërë të ditur se pjesë e grupit punues përveç zyrtarëve përkatës të politikave dhe përfaqësuesve politik, do të jenë edhe përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë vendorë, konsulentë e qytetarë të cilët sipas Haxhiut kanë dokumentuar krimet e luftës gjatë 20 viteve të fundit, njofton Klan Kosova.
“Ministria e Drejtësisë mbetet e hapur për bashkëpunim dhe konsultim me të gjithë ata të cilët mund dhe duan të kontribuojnë në këtë proces”.
“Ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, organizatat dhe të tjerët të cilët posedojnë dokumente, dëshmi të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, hulumtime të cilat i kanë kryer dhe i konsiderojnë relevante të na i dërgojnë ato në këtë email adresë dokumentimi.md@rks-gov.net”, ka shkruar Haxhiu në llogarinë e saj në Facebook