UBT News

Nis mbyllja e Qendrës së Paraburgimit në Gjilan, objekti do të përdoret për të burgosurit danezë

Oda e Avokatëve të Kosovës ka njoftuar se ka nisur procesi i mbylljes së Qendrës së Paraburgimit në Gjilan dhe transferimi i personave të privuar nga liria drejt institucioneve të tjera korrektuese.

Sipas njoftimit, ky proces po zhvillohet nga Shërbimi Korrektues i Kosovës në kuadër të zbatimit të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e këtij objekti për ekzekutimin e dënimeve të shqiptuara nga autoritetet daneze.

“Ka filluar transferimi gradual i personave të privuar nga liria nga Qendra e Paraburgimit në Gjilan drejt institucioneve të tjera korrektuese, proces i cili do të zhvillohet në faza, në përputhje me vlerësimet e sigurisë, kapacitetet akomoduese dhe nevojat operative të Shërbimit Korrektues të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Odës së Avokatëve.

Oda ka bërë të ditur se njoftimi është dhënë për informimin me kohë të komunitetit të avokatëve dhe për lehtësimin e komunikimit me klientët gjatë periudhës së tranzicionit.

Kosova dhe Danimarka kanë nënshkruar në vitin 2022 një marrëveshje 10-vjeçare, sipas së cilës shteti danez do të marrë me qira 300 qeli në këtë institucion për të vendosur të burgosur nga Danimarka. Në këmbim, Kosova pritet të përfitojë mbi 200 milionë euro.

Sipas marrëveshjes, të burgosurit që do të transferohen nuk duhet të jenë të dënuar për krime të rënda, me dënime mbi 10 vjet, apo persona me probleme të shëndetit mendor.

Marrëveshja ka shkaktuar debate edhe në Danimarkë, ku është kundërshtuar për shkak të shqetësimeve lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut./A.K/

Exit mobile version