Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka nisur shqyrtimi gjyqësor kundër tre të akuzuarve për sulmin terrorist të ndodhur më 24 shtator 2023 në Banjskë. Në këtë seancë pritet të dëgjohen dëshmitë e pjesëtarëve të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës – Alban Rashiti në sesionin e paradites dhe Çlirim Shaqiri në atë të pasdites.
Nën masa të rrepta sigurie, në sallën e gjyqit janë sjellë të akuzuarit Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët ndodhen në paraburgim që nga shtatori i vitit të kaluar.
Këta persona janë arrestuar pas një sulmi të armatosur të një grupi serb kundër Policisë së Kosovës, që rezultoi me vrasjen e zyrtarit policor Afrim Bunjaku dhe rrezikimin e jetës së zyrtarëve të tjerë dhe civilëve në atë zonë.
Në seancën paraprake të mbajtur më 9 tetor 2024, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.
Ndërkohë, më 11 shtator 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë edhe ndaj Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve lidhur me të njëjtin rast. Megjithatë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar zhvillimin e gjykimit në mungesë për të gjithë të akuzuarit që ndodhen në arrati.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit dyshohen se përmes përdorimit të dhunës dhe armatimit të rëndë kanë tentuar ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës për t’ia bashkëngjitur atë Republikës së Serbisë.