Pranë Dhomave të Specializuara në Hagë sot po vazhdon gjykimi ndaj Pjetër Shalës. Në këtë seancë pritet të dëgjohet dëshmitari i shtatë me kodin numër 1 i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Pjetër Shala po e ndjek këtë seancë nga qendra e paraburgimit, përmes video-lidhjes.
Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia kërkoi që për disa qaste të kalohet në seancë të mbyllur për publikun para sa të nis dëshmia e dëshmitarit të 1 të ZPS-së.
“Sot do të vijojmë me paraqitjen e prova sot do të dëshmojmë dëshminë e dëshmitarit numër 1 të ZPS-së“, u shpreh ajo.
Pjetër Shala po qëndron në Hagë prej marsit të vitit 2021.
Në gjykimin kundër Pjetër Shalës deri tani janë dëgjuar katër dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, identiteti i të cilëve nuk është bërë i ditur për publikun.
Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.