UBT News

Nis gjykimi ndaj Fatmir Shehollit, ulet në bankën e të akuzuarit

Ka nisur në Gjykatën Themelore në Prishtinë gjykimi ndaj Fatmir Shehollit, i akuzuar për spiunazh dhe shantazh, raporton KosovaPress.

Sheholli është ulur në bankën e të akuzuarit, ndërsa seanca fillestare ishte caktuar të niste në orën 09:30.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ngarkon Shehollin me veprat penale “Spiunazh” dhe “Shantazh”.

Sipas aktakuzës, Sheholli akuzohet se ka vepruar si person i rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë, i njohur si BIA, duke zbatuar urdhra dhe detyra të një zyrtari të këtij shërbimi.

Prokuroria pretendon se ai ka mbledhur dhe përcjellë informacione e dokumente që lidhen me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Në pikën tjetër të aktakuzës, Sheholli ngarkohet edhe për shantazh.

Seanca e sotme është paraqitja e parë e Shehollit para gjykatës pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale, më 25 shtator 2026./Kosovapress/

Exit mobile version