UBT News

Nis gjykimi i kosovarit që vrau kunatën në prezencë të tre fëmijëve të saj

Një burrë 48 vjeçar nga Kosova, me qëndrim në Löhne, (Landi Nordrhein Westfallen, Gjermani), po akuzohet se ka qëlluar për vdekje kunatën e tij 33 vjeçe, para fëmijëve të saj.

Për këtë vepër të rëndë penale ai qëndroi në bankën e zezë të Gjykatës së Qarkut në Bielefeld që nga e marta, shkruan albinfo.ch.

Tre fëmijë adoleshentë kanë parë nënën e tyre duke vdekur në apartament, ka deklaruar vëllai i të pandehurit si dëshmitar në fillim të gjykimit.

Sipas zyrës së prokurorit publik, i pandehuri nga Kosova në të vërtetë kishte për qëllim të vriste gruan e tij pasi që ajo ishte ndarë nga ai.

Me një çelës duplikat ai kishte hyrë në banesën e gruas së tij në dhjetor të vitit 2020. Aty ai kishte takuar kunatën, vëllain e tij dhe fëmijët në moshën 12, 13 dhe 14 vjeç.

Vëllai dhe kunata e kishin vizituar ish-bashkëshorten e vëllait për t`i shprehur mbështetje nga burri i dhunshëm, i akuzuari i sotëm për vrasje.

Vëllai dhe kunata janë përpjekur ta nxjerrin burrin e zemëruar nga banesa. Por sipas prokurorisë, ai kishte nxjerrë një armë nga brezi dhe kishte qëlluar të dytë. Vëllai kishte rënë i plagosur, në dysheme dhe atëherë dorasi ka qëlluar në drejtim të kunatës të cilën e kishte vrarë me një të shtënë në gjoks.

Anëtarët e tjerë të familjes e kishin bllokuar të armatosurin dhe e kishin mbajtur derisa kishte ardhur policia.

I pandehuri ka qëndruar i heshtur në fillim të gjykimit. Por ai do ta japë një deklaratë përmes avokatit të tij, në rrjedhën e mëtejshme të procesit, është thënë në ditën e parë të procesit.

Exit mobile version