UBT News

Nis fushata #YesYouDid, Bill Clinton: Bombardimet e NATO-s ishin me vend, nuk krahasohen me invazionin rus

Ka filluar një fushatë në Twitter në përkrahje të deklarimit të ish-presidentit amerikan Bill Clinton, i cili për fushatën ajrore te NATO-s të vitit 1999 mbi caqet ushtarake serbe për ta ndalur katastrofen humanitare ndaj shqiptarëve në Kosovë ka thënë se bombardimet ishin me vend dhe se nuk krahasohen me invazionin rus. Fushata përmban hashtagun #yesyoudid si përgjigje për fushatën e drejtë të NATO-s.

Duke folur për CNN, Clinton tha se tashmë është bërë gjëja e duhur.

“Mendoj se kemi bërë gjënë e duhur në kohën e duhur. Dhe nëse nuk do ta kishim bërë, kjo krizë [pushtimi i Ukrainës nga Rusia] mund të kishte ndodhur më herët”, tha Clinton në intervistë për emisionin “Fareed Zakaria GPS”.

Kritikët kanë argumentuar se cenimi i vazhdueshëm i Rusisë në kufijtë e saj nga NATO ka bërë që presidenti Vladimir Putin të nxitej për të pushtuar Ukrainën ose për të rimarrë një pjesë të perandorisë së humbur të Rusisë ose për të demonstruar se vendi i tij nuk është një shtet i dobët që do të frikësohej lehtësisht nga Perëndimi.

“Putin nuk e fshehu faktin se ai mendonte se shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ishte një tragjedi e madhe”, theksoi Clinton.

Tutje ai the se SHBA-ja dhe NATO-ja nuk kishin për qëllim kurrë të kërcënonin Rusinë dhe se vendet e Evropës Lindore kishin të drejtë të jetonin në siguri pas dekadash të dominuara nga Rusia.

“I ofrova Rusisë jo vetëm një partneritet special me NATO-n, por edhe perspektivën e anëtarësimit eventual në Aleancë, duke argumentuar se problemet tona më të mëdha të sigurisë në të ardhmen do të vinin nga akterë joshtetërorë ose nga shtete autoritare që u shesin armë kimike, biologjike dhe bërthamore grupeve terroriste”, tha Clinton.

Zgjedhja e Clintonit si president, në vitin 1992, erdhi si pasojë e fundit të Luftës së Ftohtë. Vendet e Evropës Lindore në vitin 1989 kishin hedhur tutje dekada të diktaturës komuniste dhe presidenti rus Mikhail Gorbachev kishte shpërbërë Bashkimin Sovjetik në vitin 1991.

Gjatë presidencës së Clintonit, Republika Çeke, Hungaria dhe Polonia iu bashkuan NATO-s, e ndjekur në 2004 nga Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia. Të gjitha këtë shtete kishin qenë ose pjesë e Bashkimit Sovjetik ose aleatë të saj.

“Ju duhet t’u thoni polakëve se ata duhet të jetojnë pjesën tjetër të përjetësisë me pasiguri se Rusia nuk do të përpiqet t’i pushtoj përsëri? Ose hungarezët ose të gjithë shtetet baltike. Vërtet, pas asaj që bënë, a donin të ishin ndonjëherë në Bashkimin Sovjetik?”, pyet ai.

Pushtimi i Ukrainës në muajin shkurt u përball me rezistencë të fortë nga Ukraina, e cila kohët e fundit ripushtoi një pjesë të territorit që humbi në javët e para të sulmit.

Ky agresion ushtarak gjithashtu bëri që Finlanda dhe Suedia, dy fqinjë prej kohësh neutralë të Rusisë, të kërkonin të anëtarësoheshin në NATO.

Lidhur me këtë deklaratë tashmë në rrjetin social Twitter ka filluar një fushatë që përkrah zgjerimin e NATO-s.

Eksperti i sigurisë, Agim Musliu duke i shpërndarë fjalët e Clintonit ka shkruar #YesYouDid.

Fushatës i janë bashkuar edhe analisti britanik Daniel Smith dhe figura te tjera.

Kujtojmë se ishte presidenca e Clintonit që kishte intervenuar në Kosovë me anë të NATO-s, për ta ndalur agresionin serb mbi vendin tonë.

Për 78 ditë, Aleanca ushtarake kishte bombarduar caqet Jugosllave, për ta detyruar Serbinë që të tërhiqet përfundimisht nga Kosova.

Exit mobile version