UBT News

Nis debati për veriun, Kurti i pari u drejtohet deputetëve

Në Kuvendin e Kosovës nisi seanca e veçantë, ku do të diskutohet për situatën e krijuar në veri të vendit. Qysh në hyrje të kësaj seanca shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi kërkoi që deputetëve të pranishëm në sallën e Kuvendit dhe qytetarëve fillimisht t’u drejtohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Sot është dita e gjashtë prej kur serbët e Kosovës po protestojnë para objekteve komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Ata po kundërshtojnë kryetarët e komunave të zgjedhur në këto komuna dhe prezencën e policëve të Kosovës pranë objekteve komunale.

Të hënën, protestuesit, disa prej tyre me maska, kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave. Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.

Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa kanë anuluar edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria ka refuzuar t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat policore nga ndërtesat komunale.

Exit mobile version