Në Kroaci, sot është paralajmëruar një bojkot i gjerë i dyqaneve, zinxhirëve tregtarë dhe stacioneve të karburantit për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimeve të produkteve. Ky bojkot është nisur nga grupi në Facebook “Halo, inspektore”, i cili mbështetet nga Qendra Evropiane e Ekselencës për Mbrojtjen e Konsumatorëve (ECIP).
Iniciativa është përkrahur nga shumë organizata dhe grupe shoqërore, përfshirë shoqatat për mbrojtjen e konsumatorëve, sindikatat, partitë politike dhe madje edhe Ministri i Ekonomisë i vendit. Aktiviteti u mbështet fuqishëm përmes rrjeteve sociale, ku janë shpërndarë mesazhe që njoftojnë për bojkotin e sotëm.
Në mesazhe thuhet: “Më 24 janar në Kroaci është bojkot kundër çmimeve të larta të ushqimit. Ftohen njerëzit që atë ditë të mos blejnë asgjë, absolutisht asgjë. Sigurohuni për atë ditë sikur të ishte e diele”.
Rritja e çmimeve është bërë një shqetësim i madh për qytetarët, pasi çmimet e konsumit në Kroaci, sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (HICP), u rritën me 4.5% në dhjetor të vitit 2024, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2023. Ky është niveli më i lartë i rritjes që nga maji i vitit 2024.
Kroacia ka një inflacion të lartë, duke u renditur ndër tre vendet e Bashkimit Evropian me normën më të lartë të inflacionit, pas Rumanisë (5.5%) dhe Hungarisë (4.8%). Për krahasim, norma vjetore e inflacionit në Bashkimin Evropian ishte 2.7% në muajin dhjetor të vitit 2024, ndërsa në Eurozonë ishte 2.4%, sipas të dhënave të fundit të Eurostatit./UBTNews/