Një armëpushim i përkohshëm në luftën mes Izraelit dhe Hamasit ka hyrë në fuqi të premten, duke i hapur rrugën shkëmbimit të dhjetëra pengjeve të mbajtur nga luftëtarët e grupit radikal në Gazë, me palestinezë të burgosur në Izrael, raporton Associated Press.
Ndërprerja e luftimeve ka nisur në orën 7, sipas kohës lokale (6:00 sipas kohës në Evropë), dhe pritet të zgjasë të paktën katër ditë.
Gjatë armëpushimit, Hamasi – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian – është zotuar se do t’i lirojë të paktën 50 prej rreth 240 pengjeve që i ka marrë gjatë sulmit vdekjeprurës të 7 terorit në Izrael.
Në anën tjetër, Izraeli pritet t’i lirojë tre të burgosur palestinezë për çdo peng të liruar nga grupi ekstremist palestinez.
Lirimet pritet të ndodhin në faza, gjatë katër ditëve të ardhshme.
Pak pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, kamionët me karburante dhe me furnizime të tjera u panë duke hyrë në Gazë nga pika kufitare me Egjiptin, Rafah, teksa marrëveshja lejon një hyrje të shtuar të ndihmave për civilët që po përballen me mungesë të ushqimit, ujit, ilaçeve dhe energjisë elektrike.
Marrëveshja për armëpushim dhe lirim pengjesh e të burgosurish ishte arritur pas javësh negociata të tensionuara indirekte, teksa Katari, SHBA-ja dhe Egjipti shërbyen si ndërmjetës.
Nëse qëndron, armëpushimi do të shënojë ndërprerjen e parë serioze të luftimeve, që kur Izraeli i shpalli luftë Hamasit, shtatë javë më parë.
Rreth 1.200 njerëz janë vrarë nga sulmuesit e Hamasit në Izrael, më 7 tetor, sipas autoriteteve izraelite.
Izraeli është kundërpërgjigjur me sulme masive ajrore dhe një ofensivë tokësore, duke shkatërruar pjesë të mëdha të Gazës dhe duke vrarë të paktën 13.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore në territorin e qeverisur nga Hamasi./REL