Nuk kanë kaluar shumë javë nga ndarja me Shaun White dhe emri i aktores Nina Dobrev është lidhur menjëherë me një tjetër yll të Hollywood-it: Zac Efron.
Gjithçka nisi pas fotove dhe videove nga pushimet e tyre në Itali, ku u panë së bashku në një jaht me miq të përbashkët.
Shfaqjet e afërta dhe momentet e qeshura mjaftuan që rrjetet sociale të shpërthenin me pyetjen: “A ka diçka mes tyre?”
Por, aktorja e “Vampire Diaries” i dha fund aludimeve. Në një prononcim për TMZ, e pyetur nëse mes saj dhe Efron ka romancë, Nina u përgjigj prerazi: “Jo, jemi vetëm miq.”
36-vjeçarja nuk u ndal gjatë te thashethemet, por foli më shumë për veten dhe planet e së ardhmes: “Jam e emocionuar për atë që më pret. E vetmja gjë e sigurt është ndryshimi,” – u shpreh ajo.
Efron dhe Dobrev u panë muajin e kaluar në brigjet e Sardenjës, me Miles dhe Keleigh Teller, dhe Chace Crawford nga “Gossip Girl”.
Pamjet e afërta ndezën zërat për një lidhje, sidomos duke pasur parasysh periudhën e ndjeshme që po kalonte Nina pas ndarjes nga Shaun White. Aktorja dhe ish-kampioni olimpik i snowboard-it i dhanë fund fejesës në shtator, pas pesë vitesh lidhjeje dhe gati një viti të fejuar.
Burime pranë çiftit e kanë përshkruar ndarjen si një vendim të përbashkët, megjithatë arsyeja kryesore lidhej me prioritetet e ndryshme: Shaun donte të krijonte familje, ndërsa Nina ishte e fokusuar te karriera. /A.Z/UBT News/