UBT News

Nicole Kidman, fytyra ikonike e rikthyer e Chanel

Pas më shumë se dy dekadash nga fushata ikonike për Chanel No. 5, e realizuar nga regjisori Baz Luhrmann, Nicole Kidman rikthehet si ambasadore e shtëpisë së modës Chanel.

Aktorja fituese e Oscar-it do të bëjë paraqitjen e saj të parë në sfilatën debutuese të Matthieu Blazy si drejtor kreativ i Chanel, ku do të shfaqet me një këmishë të bardhë mashkullore dhe xhinse të gjera, pjesë e koleksionit shumë të pritur.

Kidman ka qenë figurë e hershme që e ktheu një sfilatë mode në një ngjarje të pop kulturës, kur mori pjesë në shfaqjen e pranverës 2005 të Chanel të organizuar nga Karl Lagerfeld.

Ajo ka mbetur pjesë e pandashme e historisë së Chanel, duke e veshur edhe në Met Gala 2023 fustanin nga fushata e vitit 2004.

Në një deklaratë për WWD, Kidman u shpreh: “Jam e emocionuar që po bashkohem sërish me Chanel, këtë herë nën vizionin e Matthieu Blazy. Chanel ka ditur gjithmonë si të nderojë gratë me inteligjencë dhe elegancë.”

Ndërsa Blazy, i cili më parë e ka veshur aktoren gjatë kohës së tij te Bottega Veneta, shtoi: “Nicole është mishërimi i gruas Chanel, e lirë dhe gjithmonë në ndryshim. Është një ëndërr të punoj sërish me të.”

Presidenti Bruno Pavlovsky, theksoi se marka synon të prezantojë fytyra të reja, pa lënë pas ambasadorët e saj besnikë. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version