UBT News

Ngritja e temperaturave shton numrin e shitësve ambulantë në sheshet e Prishtinës, Inspektorati në aksion

Ngritja e temperaturave ka mbushur sheshet e Prishtinës me shitës ambulantë. Alban Ymeri, shef i sektorit të rendit komunal në komunën e Prishtinës, tha në një prononcim për Ekonomia Online, se kanë angazhuar një ekip të veçantë për të mbikëqyrë vetëm sheshet.

Inspektorët së bashku me policinë qëndrojnë në këtë zonë nga ora 08:00 në mëngjes deri në orën 16:00 pasdite.

“Po ne si Inspektorat i rendit komunal edhe përkundër angazhimeve që i kemi në terren, jemi vazhdimisht prezentë në shesh, mirëpo tani jemi duke caktuar ekipe të veçanta të cilët kanë për të mbikëqyrë vetëm sheshin, ashtu që të garantohet rend dhe rregull në sheshet kryesore të sheshit dhe të qytetit. Gjithë atyre të funksionojnë ilegalisht, inspektorët do t’u shqiptojnë gjoba dhe do t’i konfiskojnë ato mallra të cilat i prezantojnë përpara në shesh. Dje dhe sot kemi pasë aksion me policinë, dhe bashkë me kompaninë tonë kemi dal në mënyrë që të gjithë ata që s’largohen t’u konfiskohet edhe malli, përveç procedurave ligjore që merren ndaj tyre. Ne do me thënë kemi ekipe të shumta në terren ku një ekip është veçanërisht vetëm me shesh me u marr”, deklaroi ai.

Ymeri ka thënë se inspektorët komunalë konfiskojmë mallra në atë pjesë thuajse çdo ditë.

“Në periudhën verore kemi mjaftë shitës ambulantë të cilët e frekuentojnë sheshin, disa automjete të vogla të cilët po i shfrytëzojnë disa përdorues aty, të njëjtit janë konfiskua shumë herë, janë gjobit shumë herë, mirëpo ne do të vazhdojmë punën tonë dhe do të marrim masa ligjore ndaj tyre”, deklaroi ai më tej.

Në fund, ai tha se vetëm disa kioske në sheshe kanë leje, ndërsa disa pritet që komuna t’ua vazhdojë lejen.

Exit mobile version